Borussia Dortmund dështoi sërish të kombinojë dominimin me qëndrueshmërinë dhe të sigurojë një fitore që dukej e pashmangshme.

Kundër Bodø/Glimt, BVB u kthye te zakonet e vjetra dhe u detyrua të kënaqej vetëm me një pikë pas barazimit 2-2, përkundër se ishin duke udhëhequr dy herë. Nico Schlotterbeck ishte i dëshpëruar pas ndeshjes dhe fjalët e tij e treguan qartë këtë.


Në fushë, Schlotterbeck udhëhoqi skuadrën si zakonisht. Loja e tij mbrojtëse ishte gati e përsosur, ndërsa aftësia për të ndërtuar aksione tregoi qartësi dhe inteligjencë të një organizatori të nivelit botëror.

Pas barazimit të pafat 2-2, zëvendëskapiteni doli para mikrofonit të DAZN dhe komentet e tij ishin po aq të sakta sa edhe brutalisht të sinqerta, duke kritikuar bashkëlojtarët e tij, sidomos ata që u futën në lojë nga banka rezervë.

“Pasi morëm epërsinë 1-0, filluam të luanim jashtëzakonisht dobët, prekjet tona të para ishin të tmerrshme", tha ai, duke artikuluar atë që ndiente çdo tifoz në stadium.

Ai nuk ngurroi të kritikonte edhe performancën individuale. “Lojtarët që hynë në fushë humbën çdo top. Gjithmonë them se mentaliteti i fituesit ka të bëjë me mbylljen e ndeshjes. Ne nuk e bëmë këtë. U ngjitëm pranë portierit, driblonim një ose dy lojtarë dhe provonim ta bënim lojën të dukej bukur. Por kjo nuk mjaftoi".

Schlotterbeck e goditi problemin drejt e në shenjë. Fabio Silva u përfshi shpesh në aksione sulmuese, Maximilian Beier ishte i pafat por shumë i përkushtuar, ndërsa Yan Couto dhe Julian Brandt (autor i të dy golave) ishin ndër më të mirët, siç ndodhi edhe në ndeshjen e Bundesligës kundër Hoffenheim.

Por zëvendësimet, Karim Adeyemi, Serhou Guirassy dhe Julian Ryerson nuk arritën të ruanin ritmin dhe pothuajse u bënë të padukshëm në lojë.

Nuk është për t’u habitur që Schlotterbeck shpërtheu. “Kur hyn në lojë në minutën e 60-të, pres 30 minuta në nivel maksimal. Gjithçka dukej bukur, kombinonim nga e djathta në të majtë. Por duhet të mbyllësh ndeshjen. Ne nuk e bëmë”, Mendimi i tij u mbështet edhe nga Felix Nmecha, i cili e quajti paraqitjen e skuadrës “shumë arrogante dhe mendjemadhe”.

Megjithatë, asgjë nuk është e humbur për Dortmundin në Ligën e Kampionëve. Edhe pse në vendin e dhjetë, ata janë vetëm një pikë larg kualifikimit direkt në raundin e 16-të. Para golit të pësuar, verdhezinjtë ishin në vend të katërt, por kalendari i janarit është i ashpër, me ndeshje në udhëtim kundër Tottenham dhe Interit.

“Disa njerëz nuk e kuptuan sa e rëndësishme ishte ndeshja ndaj Bodos, sepse tani duhet të fitosh dy ndeshjet e mbetura në fazën e ligës, përndryshe nuk do të jesh në 8 vendet e para, do të luash edhe dy ndeshje të tjera dhe pastaj të gjithë do të ankohen se kanë shumë ngarkesë", tha Schlotterbeck./Telegrafi/

telegrafi sport app