Ish kryeministri i Shqipërisë dhe ish lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një rrëfim të veçantë nga fëmijëria, lidhja e fortë me familjen, pasionet e para, auditorët, profesioni, shkëputja nga mjekësia për përfshirje në politikë dhe sfidat e saj përgjatë 23 viteve të pluralizmit.

Ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar mbrëmë në “Kontrata” në Tv “Agon”, risolli kujtimet e viteve më parë, fëmijërinë në kullën 100-vjeçare në Viçidol, kontaktin e parë me librat, ankthin në familje kur u vu në krye të Lëvizjes së Dhjetorit e deri tek largimi nga kryesimi i PD-së.

Ju jeni djali i Ramë Berishës dhe nënë Sheqeres. Kujt i keni ngjarë më shumë?
Unë kam nga të dy prindërit; më shumë mund të kem marrë nga nëna, e cila ka pasur një shpirt punëtor të jashtëzakonshëm. Edhe baba punonte shumë. Por ajo punonte të themi nga mëngjesi deri në darkë pa një minutë pushim, për të menaxhuar shtëpinë.

Mësimi më i vyer që ju ka dhënë nëna, cili ka qenë?
Mësimi më i vyer, më i çmuari ishte ky: Ne kemi qenë një familje patriarkale qartësisht, por në aparencë në të vërtetë ne ishim një familje matriarkale. Familje në të cilën nëna ishte shumë influente në vendimet dhe vendimi i saj më pozitiv në jetën time ka qenë fakti se ajo më imponoi me kultin e motrës. Po.

“Kulti i motrës”, që do të thotë?
Ne ishim tre fëmijë, 2 vëllezër dhe një motër. Për çfarë ndodhte në familjen tonë, e para ishte motra në mënyrën më të padiskutueshme.
Mbështetje emocionale e të voglit Berisha…
Motra ishte 6 vjet para meje, ajo bënte gjithçka që të derdhte të gjithë dashurinë mbi mua. Më ka mësuar të lexoj 5 vjeç. Nuk kanë të përshkruar aktet e saj të dashurisë ndaj meje. Por në familje ajo ishte mbretëresha dhe nëna që vigjilonte me angazhimin total se mos po ndodh ndryshe dhe ndryshe nuk mund të ndodhte. Pse më ka shërbyer kjo? Për të më dhënë sensin e barazisë, shumë i domosdoshëm. E kam thënë edhe dikur: shumë vite më vonë lexoja Frojdin, – kam qenë shumë i apasionuar pas Frojdizmit – dhe lexoj që në familjen Frojdi në Vjenë, motra Ana bleu një piano dhe tani Frojdi nuk duronte dot tingujt e pianos kur kjo luante dhe e ëma e Frojdit ia mori dhe ia shiti pianon. Të kishte qenë për nënën time do më detyronte…

Ju erdhët në Tiranë në shkollën e mesme dhe rrinit tek teknikumi mjekësor te Medreseja?
Po, ku pothuajse çdo gjë që më servirej ishte jofamiljare për mua. Mëngjeset ishin një gotë çaj me një risk djathë. Ky ishte mëngjesi. Dreka ishte groshë e zier, por ishte groshë e kuqe; groshët e Tropojës janë të shkëlqyera, nuk kisha provuar kurrë, këto nuk më përshtateshin kurrkund, kurse darka që ishte një supë. Po supa ka historinë e vet. Vinte një supë e cila na hidhej në një pjatë alumini njëlloj si në romanet e Çarls Dikensit, ajo mbante erë pishë. Unë nuk arrija ta kuptoja, s’e haja, sigurisht. Kur ç’ndodhi? Si nxënës bënim shërbim në mensë. Shkoj unë ditën e shërbimit shikoj kazanët, ata hunjtë që përzienin supën kishin rrëshirë pishe. I them asaj kujdestares: ‘Ju, me këto na jepni?’ I mori i hoqi, gjeti ca shkopinj ahu. Por në qoftë se kushtet ishin këto, mësuesit ishin të shkëlqyer. Ne kishim mësues në atë shkollë në lëndë të përgjithshme të gjithë të shkolluar jashtë. Në Gjuhë kishim një nga më të shkëlqyerit që kam njohur, Petër Elezi.

E vërtetë që i mësonit edhe fjalorët e gjuhëve të huaja përmendësh, z.Berisha?
Absolutisht po! Lexoja shumë, kam pasur një memorie shumë të fortë.

Unë kam mësuar që një ndër pasionet tuaja është vera, dhe mua më thonë që Sali Berisha ka një dhunti të jashtëzakonshme për të dalluar verërat me varietete, me çfarë temperature mbahen etj…
Vera mbi të gjitha është poezi. Dhe unë nuk pretendoj që jam një njohës, unë jam një dashurues i verërave; prapë do të kthehem tek origjina e kësaj. Unë isha fëmijë, në fillore, dhe aty në shkollë bëhet një festë dhe siç ishim të mëdhenj e të vegjël të ulur nëpër tavolina u servirnin birrë. Ndofta birra ishte e prishur a nuk e di se çfarë, e futa në gojë dhe e nxora menjëherë, aq e hidhët m’u duk. Edhe sot e kësaj dite s’jam bërë mik me birrën. Dhe historia e dytë është në një fshat të Tropojës, në Markaj, një zonë katolike; ata bënin verë dhe ne i kishim miq ata. Në një drekë na kishin servirur verë; a ishte verë tamam apo verë me mushtarak, akoma s’e kam të qartë, por e shijova aq shumë, sa mbeta mik me verën për gjithë jetën time. Unë çdo ditë e përdor verën dhe e kam përdorur gjithë jetën, por asnjëherë më shumë se një gotë në ditë. Ndonjëherë në shtëpinë time, gostinë e verës e bën Lili, këngën e kam unë.

Duke ndjekur kronologjinë e çështjeve, pas dilemave Letërsi, Mjekësi, nëpërmjet përhumbjes në realitete virtuale, në realitete librash, Sali Berisha vendos: “Do të studioj mjekësi”. Nga lindi ky pasion për Mjekësinë?
I gjithë pasioni im ishin Letërsia, Historia, por kryesisht Letërsia, dhe deri vitin e tretë të fakultetit bëra përpjekje të jashtëzakonshme që të më lejohej që të vazhdoja dy fakultete, Mjekësi dhe Letërsi, por pasioni i parë ishte Letërsia. Kjo nuk m’u lejua dhe më në fund dështova në përpjekjen time dhe pastaj i gjithë, si të thuash, pasioni, m’u drejtua drejt Mjekësisë dhe disa shkenca të saj, si Biokimia Molekulare, shkencat e Fizikës ose Gjenetika. Të gjitha këto filluan të më tërheqin shumë. Dhe pastaj unë dija gjuhë të huaja, lexoja tekste në gjuhë të huaja.

Vitet ‘90, vite në të cilat sistemi vazhdonte në agoni të qëndronte aty, por Sali Berisha përfshihet nga energjia, entuziazmi i një momenti historik. E dinit ankthin e bashkëshortes suaj në atë kohë?
Padyshim që pas nënës, Lili është njeriu që i detyrohem më shumë në tokë. Dhe para këtij viti, njeriu që unë i kam marrë miratimin ishin fëmijët. Natyrisht, ndaj meje mund të mbaheshin qëndrime dhe pasi e pa që për mua ishte më mirë, ndihesha më mirë që të ndiqja rrugën që kisha vendosur, ajo më ka mbështetur plotësisht. Ka qenë plotësisht dakord. Ne, edhe si mjekë, po të marrësh jetën tonë familjare, nuk kemi pasur një jetë të plotë familjare kur kemi qenë mjekë e kur u bëmë zyrtarë, në kuptimin që, ishim shumë të zënë. Ajo me fëmijët, unë me punë, por në një harmoni absolute dhe respekt për punën që bënim. Kjo ndodhi pastaj edhe në Lëvizje. Lili u bashkëngjit sapo filloi Lëvizja, duke mos më thënë kurrë në jetën e saj se “kjo mund të ketë këtë rrezik, apo atë rrezik”.

Sa ndikim ka pasur në jetën tuaj?
Ajo ka pa dyshim një ndikim shumë të madh në jetën time, sepse, si të thuash, është një tërësi me mua. Nuk them se diskutoj çdo vendim me të apo s’diskutoj vendime, por vetëm qëndrimi i saj aktiv dhe kritikat e saj janë një faktor absolut.

Sa ka ndryshuar Lili nga ajo studentja që ju e njohët; a ishte e vështirë t’i afroheshit?
Lili është një natyrë e përmbajtur, e qetë. E kisha të vështirë t’i afrohesha Lilit në fillim… Po, afrimi relativisht ishte i vështirë, megjithatë fitorja nuk matet me vështirësitë.

Pse ktheheni shumë rrallë në kullën tuaj në Viçidol?
Është dëmtuar, sepse në luftën me Kosovën ata e kanë gjuajtur me mortaja 127. Nuk i ranë direkt, i ranë afër, por ajo është një predhë me fuqi të hershme. Problemi është dhe unë dua të flas haptas…

Jeni përlotur zoti Berisha dhe unë dua ta vërej, sepse rikthimi tek ajo kullë hap shumë histori për ju…?
Sepse kulla ka pasur edhe anturazhin, çifligun e vet. Rreth saj kanë qenë 43 hektarë tokë, jo vetëm të familjes sime, por të njerëzve më të afërt të familjes sime, e cila punohej në mënyrën më intensive dhe ata kanë qenë njerëz që punonin ditë e natë. Përtej saj janë 74 ha, të cilat punoheshin tërësisht, por ishin sa një vrap kali. A mund ta kthejmë kullën siç ishte? Ndërtesa mund të kthehet, por toka dhe ato të tjerat…

Megjithatë, kujtimet janë aty… Zoti Berisha, kam edhe një pyetje: Si do të donit t’ju kujtonin brezat në këtë histori të jetës suaj publike?
Skam bërë asgjë për historinë, jam përpjekur dhe do përpiqem çdo ditë të bëj detyrën time. /Telegrafi/