Thellimi i dështimit të mbrojtjes së veprimeve agresive e joligjore të Rusisë kundër Ukrainës, fqinjëve të saj e më gjerë, është duke e bërë këtë vend të madh territorialisht (Rusinë) që ta humbë betejën e narrativave në Kosovë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë, duke kundërshtuar çfarëdo ndryshimi të tillë në Ukrainë.


Rusia, e cila nga studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të gjeopolitikës, është një fuqi që dobësohet nëse nuk zgjerohet vazhdimisht, duke mos mbetur as fuqi e dorës së tretë - gjë që e ka pranuar edhe vet Aleksandër Dugin - vazhdimisht ngelet te përpjekja që ta shfrytëzojë Kosovën si “precedent” për legjitimimin e veprimeve të saj agresore.

Mirëpo, ky territor i madh që quhet Rusi, po e humb betejën me Kosovën, për shkak të falsitetit të narrativës së saj.

Nga 1877 te 1999: Si u zgjerua Serbia me forcë dhe pse pretendimi i Zaharovës është fals

Maria Zaharova, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, në reagimin ndaj von der Leyenit e përmend rastin e Kosovës, duke thënë se: “Ishte Perëndimi ai që deklaroi dhe zbatoi me forcë ripërcaktimin e njëanshëm të kufijve të Serbisë, në kundërshtim me vullnetin e popullit serb”.

Fatkeqësi e madhe për këtë territor të madh si Rusia të udhëhiqet nga njerëz të cilët tashmë mundohen edhe gënjeshtrën ta mashtrojnë.

Kosova nuk i është marrë më forcë askujt!

Që nga 1877 kur Kosova kishte 22 900 kilometra katrorë, është Serbia e përkrahur nga Rusia që është zgjeruar në dëm të trojeve shqiptare, duke pushtuar territore dhe shpërngulur e kryer gjenocid mbi shqiptarët. Territori i sotëm i Kosovës akoma strehon shumë shqiptarë nga rajonet e pushtuara si Nishi, ku hyjnë Toplica, Prokuplja, Kurshumlija, Leskoci, Vranja, pastaj Sanxhaku i Novi Pazarit, e deri tek pjesa ku është Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

Ka qindra e mijëra dëshmi të botuara se si rajonin e Kosovës së sotme nga 1918 e ka kolonizuar Serbia dhe nga arkivat e Serbisë janë nxjerrë me emra, mbiemra dhe adresat në Kosovë ku janë vendosur kolonët serbë. Këtë mbledhje dhe publikim të dëshmive e ka bërë Millovan Obradoviq.

Në vitet ‘90 të shekullit XX, Kosova pësoi një terror të tmerrshëm nga Serbia. Pas suprimimit të autonomisë, shqiptarëve iu mohua punësimi, shkollimi, shëndetësia, ndërsa dhuna sistematike, represioni e burgosjet, kulmuan me masakrat dhe gjenocidin gjatë viteve 1998-’99.

Kosova do të kishte pësuar një spastrim total etnik sipas operacionit “Patkoi” dhe një tragjedi akoma më të rëndë se sa Bosnja, po të mos ishte ndërhyrja humanitare e NATO-s që ta ndalonte dhunën e regjimit të egër të Sllobodan Millosheviqit.

Vetëm disa statistika: për dy vjet, më 1998-’99 u deportuan mbi 800 mijë shqiptarë nga Kosova, u vranë dhe masakruan rreth 13-14 mijë civilë, u dhunuan më shumë se 19 mijë gra dhe vajza, u zhdukën mijëra trupa, prej të cilëve ende për rreth 1 600 Serbia nuk tregon se ku i ka fshehur.

Pas luftës, në misionin paçebërës me NATO-n ka pasur edhe forca nga Rusia, nëpërmjet të cilave ajo provokoi hapur riballafaqimin me perëndimin.

Pse argumenti rus për Kosovën dështon juridikisht, politikisht dhe strategjikisht

Pavarësisht çfarë thotë Zaharova e Rusia, secili njeri i pandikuar nga propaganda e pranon publikisht (pasi në mendje e di të vërtetën secili) se NATO nuk ka bërë agresion ndaj Serbisë. Përkundrazi, ajo e ka ndalur gjenocidin dhe madje e ka shpëtuar edhe vetë Serbinë nga kthetrat e njerëzve si Millosheviqi. Përkundrazi, është Rusia ajo që po e rikthen Serbinë te njerëzit e Millosheviqit, duke sponsorizuar proksi shtete dhe politikanë si Aleksander Vuçiq e Aleksander Vulini.

Për më tepër, nuk duhet harruar se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte Serbia, me ndihmën e Rusisë, që kërkoi mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. GjND-ja e dha gjykimin e saj dhe tani hipokrizia mbetet te Rusia dhe Serbia që nuk e pranojnë “përgjigjen” e pyetjes së tyre. GjND-ja konfirmoi se Kosova nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë. Rusia dhe Serbia e kërkuan mendimin e saj, por athua s’do t’i bindeshin e do ta kundërshtonin edhe nëse gjykimi i GhND-së do të thoshte se Kosova e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare?

Zaharova e sulmon von der Leyenin, sepse dëshiron që në pazaret për paqen në Ukrainë të përfitojë sa më shumë duke e shfrytëzuar Kosovën si “precedencë”. Mirëpo, ky është një krahasim artificial dhe madje mashtrim për popullin serb, të cilit Rusia dhe regjimi i Vuçiqit ia ka errësuar edhe më shumë shikimin.

Duke e përmendur Kosovën si precedent, Rusia e ka syrin te pazaret kundër Ukrainës. Megjithatë, ajo duket se ka ngecur në grackën e narrativës kundër Kosovës dhe po e humb betejën me të drejtën.

(Autori është hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride dhe profesor në Kolegjin UNI)