Ruben Amorim ka vendosur një rekord të padëshiruar pas humbjes ndaj Arsenalit

Ruben Amorim ka vendosur një rekord të padëshiruar në Ligën Premier pas humbjes me rezultat 1-0 ndaj Arsenalit.
Goli me kokë i Riccardo Calafiorit i dha Manchester United një humbje minimale në ndeshjen hapëse të kampionatit këtë të diel, dhe ndonëse skuadra e Amorimit tregoi disa shenja pozitive, trajneri portugez hyri në histori, por jo në mënyrën që do të dëshironte.
Sipas OptaJoe, Amorim ka pësuar 15 humbje në 28 ndeshje të Premier League (me shtatë fitore dhe gjashtë barazime).
Kjo është hera më e shpejtë që një trajner ka arritur në kaq shumë humbje në këtë kompeticion, pa qenë në krye të një skuadre të sapongjitur në elitë, që nga Paul Hart me Portsmouth në vitin 2009 (27 ndeshje).
Që nga fillimi i sezonit 2023/2024, Manchester United ka pësuar më shumë gola nga goditjet nga këndi (23), ndërsa Arsenal ka shënuar më shumë në këtë aspekt (31).
Gjithashtu, të gjitha gjashtë fitoret e Arsenalit si mysafir në Ligën Premier kundër Manchester United kanë përfunduar me rezultatin 1-0.
Skuadra e Amorimit do të tentojë të rikthehet te fitorja në ndeshjen e ardhshme në udhëtim ndaj Fulhamit, i cili barazoi në javën e parë kundër Brighton, ndërsa Arsenali i Mikel Artetas do të presë të sapongjiturin Leeds United një ditë më herët./Telegrafi/




































