LAJMI I FUNDIT:

RUBAIRAT

RUBAIRAT

Poemë nga: Omar Khayyam
Shqipëroi: Fan Noli

1

Natën kur flija, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë dhe në Varr s’ka lumturi.
Ngreju! Sa rron, zbras Kupa dhe puth çupa;
se ke shekuj që të flesh në qetësi”.


2

Në ëndërr, kur Agimi zbardhëllonte,
Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
“Çohuni, djema, e Verë sillnani,
Se Fati na e thau lëngun sonte”.

3

Dhe posa në tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrën “Portat çelni!
E shkurtër është Jeta, ja, u mplakmë
Dhe mbretmë si kofini pas së vjeli”.

4

A di përse këndesi po këndon
Dhe menatë nga gjumi po të zgjon?
Që shkoi një ditë po të lajmëron,
Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron.

5

U gdhi! Me verë zëmrën e zbardhëlloj
Përdhe çdo Fe të Natës e dërmoj:
Në Djall dërgoj Parajsën e përpjetë,
Gërshetin me lahutën lavdëroj.

6

Kur Diellin me zjarr kurorëzuar,
E pret me gas Natyra faqeshkruar,
Shoqen me mall po shoh në gjumë shtruar
Dhe foshnjën buzëqeshur më të zgjuar.

7

Ja, Kup’ e Qiellit skuqet prej Agimit,
Bilbili nisi këngën e dëfrimit
Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë,
Natyra qesh; nem Qelqin e Rubinit.

8

Zgjo-hu! Mëngjezi me shigjet’ e grisi
Perden e Natës, Yjt’ i arratisi,
Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi
Çdo majë mali, pallati e lisi.

9

O Engjëll faqedritë, ja u gdhi,
Shtjer Verë dhe këndo me ëmbëlsi!
Xhamshidi e Khosroj qysh lulëzuan,
Qysh dimërojnë sot në Varrverri.

10

Ja, Mars ‘i ri dëshirat na valon,
Çdo shpirt i mënçur në Gërmadhë shkon
Ku dor’ e Moisiut zbardh nga degët
Dhe frym’ e Krishtit tokën gjelbëron.

11

Mbi lulet po pikojnë vesë retë,
Dhe me një zë qiellor Bilbili shkretë:
Ah, Verë! Verë! Trëndafilit
I lyp t’i skuqë faqëzën e zbehtë.

12

Bilbili nëpër kopshtet në Pranverë
Sheh Lilin Kup’ e Trëndafilin Verë
Dhe thotë: “Puthuni e pihuni!
S’e gjeni këtë ditë tjatër herë”.

13

Shiko luadhe, lule, bukuri,
Lumenj kristali, kronj e brohori:
Nga dimri Ferr pranvera Qiell na ndriti,
Gëzo mi Dhe Parajsën me Huri.

14

Desh Trëndafili e thotë: “Lulëzoj
Dhe botës bukurinë po ia shtoj:
Pastaj e hap kuletën e mëndafshtë
Dhe përmbi kopsht thesarin po e shtroj”.

15

“Jam, thotë, lulja e Josefit t’ ri
T’ Egiptes, xhevahir, zëmërflori:
Ja edhe rrob’ e kuqe gjak, e çjerur
Prej vllezërve dhe gruas Petefri.

16

Tufani kopshtin kur ma çkatërron
Dhe Rrot’ e Fatit shpresat m’i dërmon,
Pështillem si burbuq’ i Trëndafilit,
Po zemra gjak përbrenda më pikon.

17

U dogja dhe u përvëlova: Verë!
Nga vrer’i lotëve u shova: Verë!
Në Qelq rubin, e Dashur, dhe Luten
Dhe nga ky zjarr shpëtova: Verë!

18

Me Ver’ e Vajza, me Lahut e Valle,
Me Fyell e me Këngë po s’u çmalle,
Jeta s’vlen hiç: Se pa këto nuk është
Veç pemë helmi, pus e tym vërdalle.

19

Nga njëra dorë Trëndafil e Grua,
Nga dora tjatër patsha Rrush e krua:
“Zotit – po thoni – i ardhtë keq për mua!”
Po as m’a fal pendimin, as ia dua.

20

Një Engjëll më tërhiqte në Xhami,
Një Djall po më zvarrniste në Dolli;
Po Ver’ e kuqe e fitoi davanë:
Gërshet këtej – edhe andej Hardhi.

21

Në prehërin e Hurisë kur gëzohesh
Veten humbet, e veten gjen, bekohesh:
Kur pi kungatën shpirtrëmbenjëse,
Përsipër Jetës, Vdekjes lartësohesh.

22

Te Shpell’ e Verës kemi hedhur mendjen,
Dehemi, puthim për të mbledhur mendjen:
C’pyet? Gjykim e tru na kanë rrjedhur,
Se Vajzat na e kanë vjedhur mendjen.

23

“Pse s’pi më pak?” më thonë njerëzia,
“Për ç’arësye s’ka kufi Dollia?”
Një: Faq’e Vajzës; dy: Rubin’i Verës,
Ja shkaqe si kristal nga qartësia.

24

Drit’ e Kungatës vlen çdo mbretëri
N’Evropë dhe n’Afrikë dhe n’Azi:
Rënkim’i Vajzës mallëngjen më rëndë
Se çdo shamat’ e turmës në Xhami.

25

Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbeje,
Dhe adhuroje si Altar prej Feje:
Një qind Qabera s’vlejnë sa një Zemër;
Zemër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.

26

Si mjer’ ay që Dashuri s’ka ndjerë
Dhe zemra s’i ka ndritur në prënverë:
Pa Ver’ e Dashuri çdo dit’ e shkuar
Prej meje s’nëmërohet asnjëherë.

27

S’ka hir apo shëmtim në Dashuri,
Për Ferr e për Parajsë s’ka mërzi,
As për pallate a kasolle a shpella
As për mëndafsh a rrecka a stoli.

28

Kjo zemr’ e marr’ e mbytur në mjerime
Pa prerë vuan e lëshon rënkime:
Kur më dha Zoti Verë Dashurie,
Ma mbushi kupën gjak prej zemrës sime.

29

E prisja! Si rrufeja më tronditi!
E Dashura më shkoi, më neveriti:
S’e çmoja kur e kisha… Ah, çma priti!
Në Ferrin nga Parajsa më vërviti.

30

Rënkoj e psherëtij, se s’të kam pranë,
M’u çuar zëmra, vojtjet mënt s’më lanë,
Askujt s’ia qaj dot hallin, djall’ o punë:
Vrermjalt’ e flagëves’ e qiellhapsanë!

31

Nga hidhërim’i ndarjes jam përpirë,
Sa e sa herë zemra m’është grirë:
Ty natën të kujtoj e psherëtij,
Nga malli digjem, si qiriri kam shkrirë.

32

Kur s’dhëmp e s’shëmp nuk është Dashuri,
Pa Ferr s’gjen dot Parajsë dhe Huri:
Kur zjarr’ e ke në gji, me nat’ e ditë
Sot ndrit me gas e nesër ndes më zi.

33

Te rrug’ e Trëndafilit plot me gjëmba
Pikova gjak, u çora dhe u shëmba:
Pa qindra plag’ e çpojtje s’qepeht krehri
Në flokët e së Dashurës me dhëmba.

34

Zemrën me sy e dashura ma ndes,
Zemraqiri me flakën rron e vdes:
Te flak’ e bukur zemraflutur turret,
Kurban e tëra digjet pa kujdes.

35

Me syrin bukuri e dritë çpall,
Në zemrën Dashuri e zjarr më kall:
Ti s’më vë re aspak ose më tall,
Kur unë pshërtij për ty me mall.

36

Zefire, fryre, syri im të pa,
Nga gjoksi zemra m’iku dhe më la
Dhe dyke fluturuar pas të ra:
Banesën sot në gjoksin tënt e ka.

37

Selvia që më bëri skllav e mbret
Tani më nisi prapë muhabet;
Më qesh me buz’ e sy, se shpirti i thotë:
“Bëje të mirën dhe e hith në det”.

38

E dashura shkëlqeu, më vërboi,
Zemra më fliste gjuha më pushoi:
Kush pa me sy torturë kësisoj?
Nga etja u dogja, u shova mun te kroj.

39

Kush në Gërmadhen të ka prurë, kush?
Kush ta ka çfaqur natën mirë, kush?
Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë
Nga Dashuria të sëmurë, kush?

40

Në këtë Dhe pa prehje, pa pushim,
Jam lodhur me kërkim e udhëtim:
Të bukur Qiparis si ti s’kam parë,
S’të kapërcen as hëna në shkëlqim.

41

O ti mbi Dhe m’e zgjedhura Selvi,
M’e shtrenjtë je se shpirt dhe syt’ e mi:
Gjë më të çmuar se sa jeta s’ka;
Një qind herë më e çmuar më je ti!

42

Si në mëngjes burbuqi i vesuar
Me rrezet buzëqesh i ngushëlluar,
Më ndrit me gas fytyra e përlotur
Kur zemrën ti ma ngroh me syt’ e shkruar.

43

Ti, që me faqe Rrushin e kapërcen,
Dhe që me zë Bilbilin e gënjen,
Një sy i luan Mbretit t’Babilonës
Dhe mbretëresh’ e kulla ia rrëmben.

44

Për ty bëj be të hedh në det dhe nderin;
Në shkelça fjalën, shkelmin nem dhe vrerin:
Në mos mjaftoftë jeta ime e zezë,
Laj borxhin në të Funtmin Gjyq me Ferrin.

45

Sa kohë munt, e Dashur, ngushëllomë,
Nga barr’ e vrerit zemrën lehtësomë;
Se bukuria jote s’rron për jetë;
Shpejt! Nesër zbresim që të dy në Llomë.

46

Me buzët gjak, Sirenë, dehm’ e mpimë,
Me dhëmbët e me thonjtë çirm’ e grimë:
Me krah’ e me gërshetë mbytm’ e shtrimë,
Me syt’ e tu të zjarrtë tretm’ e shkrimë!

47

Me Bukë sa për shpirt, me Hën’ e Zanë,
Me Ver’ e Harp’ e Vjersha dhe ty pranë
Në Pjergull të Gërmadhës jam m’i lumtur
Se në pallat a fron një qint Sulltanë.

48

“Sa bukur të jesh Mbret!” disa mendojnë;
“Sa ëmbël në Parajsë!” ca besojnë:
Ah, merr trumpetat e ler kusurin,
Daullet, pompat lark le të gjëmojnë.

49

Në botë kotësira mos lakmo
Të mirat e të ligat ia harro:
Kthjelloje zemrën si ky Qiell i kaltër,
Si Yll më ndrit, si Diell perëndo.

50

Shpirti për ku m’u bë prej Perëndie?
Për Qiell a Ferr? S’e di, po veresie
S’lë gas të saktë, Ver’ e Vajz’ e Këngë,
Për profka, ëndrra, prralla shenjtërie.

51

Se save që për Dhenë bëjnë rragë
Dhe save që për Qiell hedhin flagë,
Nga Kull’ e Natës Korbi u bërtet:
“Të çmëndur! S’ka as lart as poshtë çpagë!”

52

Me vajzën në prënver’ e në lëndinë
Me Këngën, me Lahutën, me Dollinë
Dëfrej: le të më shajnë; s’më ha malli!
Këtu e gjej Parajsën, Perëndinë.

53

Me Ver’ e Valle, me Huri – në pastë,
Te vija në lëndin’ u shtri – në pastë,
Dhe humbi fare Ferr’i zi – në pastë,
Dhe ja, Parajsa na u gdhi – në pastë.

54

Një kupë Verë, mor Saki – ta puth!
Vajzën e bukur si selvi – ta puth!
Atë gërshet si lak të zi ku kapet
I urti plak e djal’i ri – ta puth!

55

Nem kupën dhe këndo një melodi,
Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni:
Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja
Dhe s’duhet pirë veç me brohori.

56

Me gjithë Trëndafijt’ Irami u shua,
Qelqi magjik Xhamshid u çduk në prrua,
Po prapë Vreshta Rrush rubin na nxjerr
Dhe kopshti lulëzon ku rrjeth një krua.

57

Shih, mijëra burbuqe lulëzojnë
Dhe erët mijëra përdhe rrëzojnë;
Dhe ditët që na sjellin Trëndafilin
Xhamshid e Kaj-Kobad na i çkallmojnë.

58

Po eni me Khajamin dhe ia shtroni
Dhe Kaj-Kobad e Kas-Khosro harroni:
Rustemi le t’ju ftojë në kushtrim
E Taji në zijafet, mos i dëgjoni.

59

Eja, mbush Kupën e në zjarr gëzimi
Vërvit çdo vrer e helm të zi pendimi:
Se Shkab’ e Kohës Jetën na shkurton,
Dhe shih se sa shpejton nga fluturimi.

60

E Dashur, mbushma Kupën që kthjellon
Të sotmen nga vreri q’ikën, tmerr q’afron:
Po nesër? nesër ndofta fryra, humba
Në shqotën ku e djeshmja fluturon.

61

Na fryri dita, mor Saki: sill Verë!
Jetën s’e shohim përsëri: sill Verë!
Bota një her’ u mbyt në kataklizmë,
Ashtu u mbytshim me Dolli: sill Verë!

62

U bëra prapë djal’ i ri: sill Verë!
Kërcej me flag’ e lumturi: sill Verë!
S’ka gjë, në qoftë e hidhur, mor Saki,
Si jeta ime në Persi: sill Verë!

63

Sakinjtë derdhin Ver’ e vala rrushi,
Në zemra shuajn’ afsh’ e avull prushi:
Lavdi, o Zot, se dhe këtë ballsam
Që na shëroi e me shëndet na mbushi.

64

Si merimanga vallë pse ta tjerim
Perin e Jetës, kur pastaj e çtjerim?
C’do të fitojmë kur aspak s’e dimë
Frymën që marrim jasht’ a do ta nxjerrim?

65

Në Nishapur ose në Babilon,
Me Kupën që tharton e ëmbëlson,
Fletët e Jetës një nga një na bien
Dhe lëngu i saj pa reshtur na pikon.

66

Ah, mbushini Kupat! Zemra na thërret,
Se Koha nëpër këmbë po na shket:
E djeshmja vdiq, e nesërmja s’na gjen;
C’mërziti kur e sotmja ka lezet?

67

Ditën e shkuar fare e harro
Dhe për të nesërmen mos u mendo:
Gëzo një çast të lumtur, faqebardhë,
Dhe Jetën n’erë mos e çkatërro.

68

Për nesër mos u verdh sa pa e parë,
Të sotmen e gëzo, mor djal’ i mbarë:
Shpejt ikim nga ky Han e hasim shokët
Që shkuan shtatë mijë vjet më parë.

69

Me Buzët trëndafilen shtatselvi
Këndo e nat’ e ditë zbras Dolli:
Se nesër Vdekja fryn, te çthurr si lule
Dhe fletët t’i përmbledh në Dhe të zi.

70

Të shkuarat mos i kujto me lot
Dhe për të pritmet mos u loth më kot:
Sa kohë në luadhin je, kullot;
Nga drapr’ i Vdekjes nuk shpëton dot.

71

Buza që puth e Vera që po pi
Vërtet mbarojnë dhe ato si hi:
Po sot të paktën je një hi i gjallë,
Gëzohu sa s’kalon në Hiç të zi.

72

Sa kohë po vazhdon kjo Jet’ e ngratë
Për qafe kape Qiparisn’ e gjatë.
Se nesër Mëmë-Dheu do t’të kapë
Dhe posa të pushtoi s’të lëshon prapë.

73

Sa nga të dashurit mbi këtë bar
Që m’emëruan për trashëgimtar
I zbraznë Kupat rrotull nja dy herë
Dhe heshtn’ e zbritnë një nga një në varr.

74

Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë
M’i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë:
Festuam, pim’ e biseduam bashkë,
Pastaj u shtrin’ e thanë: “Lamtumirë!”

75

Dhe ne, që sot dëfrejmë në lëndinë,
Ku pleqtë na bekuan me Dollinë,
Dhe ne në shtrat të dheut do të zbresim
Dhe do ta zbrazim vendin për risinë.

76

Si lot pikon nga Qiell’i mvrojtur shiu
Sis’ i jep lules si një çilimiu;
Nga varri bukën ia mëkon njeriu:
Bga pluhr’i tij kjo lul’e bukur mbiu.

77

M’i kuqi Trëndafil i çdo behari
Nga toka mbin që piu gjak Qesari:
Në gji të kopshtit manushaqja shket
Prej faqes Vajzës me ulli nga Varri.

78

Dhe kjo lëndin’ e njomë që po çel
Bregun e lumit ku tani po ngel,
Ah, pshtetu leht’ e but’ e mos e shkel,
Se s’di nga cila buz’ e bukur del.

79

Ah, Trëndafili me prënverën shkon
Vjeshta risisë fletët ia rrëzon:
Bilbili, që në degët i këndon,
Ikën – e kush e di ku fluturon?

80

Ah, pini dhe Khajamit shtjerini!
Profetët le të flasin, lerini!
Një gjë ësht’ e vërtetë: Lulja vdes,
Si lulëzon, – dhe profkat prejini!

81

Çdo shpresë që në flakë na përfshin
Shuhet e bëhet hi; a shkrepëtin
Mbi kum të shkretëtirës si dëbora
Një or’ a dy – dhe menjëherë shkrin.

82

Në Dhe, o shpirt, të mirat si për Mbret
Dhe gazet e dëfrimet plot lezet
S’të janë veç si ves’ e lulevet,
Që ndrit menatë dhe pastaj humbet.

83

Edhe ay që mbleth e shin flori
Edhe ay q’e heth, e derth si shi,
Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë:
Po kalben, myken nënë Dhe të zi.

84

Te ky Karvan – Saraj faqekëmbyer,
Që netët edhe ditë ka për dyer,
Sulltanë pas Sulltanëve u shtruan
Sa ish’ e thën’ – e iknë të pakthyer.

85

Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj?
Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj?
Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj?
Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj?

86

Dhe tre qint vjet të rrosh e plot me dritë,
Këtejza do të shkosh me lot një ditë,
Qofsh Mbret i lart’ a lipës i ngratë
Në varr do të mbarosh pa mot i mpitë.

87

S’banojnë veç luanë dhe zhapi
Në sallat ku Xhamshidi u shtri, u pi:
Bahrami, që me lak onagre kapte,
U lak, u kap në llom’ e pellgpusi.

88

Kështjella gjer në Qiell një herë ndriti
Dhe Mbretër e Qesarë brënda priti:
Përmbi gërmadha tani qyqja qan:
“Ku vajti, ah! ku? ku, ku zbriti?”

89

Nga mur’i Tusit Korbi po vë re
Kafkën e Kaj-Kavusit tej përdhe
Dhe kujës ia kërcet: Kaj, Kral i Ngratë,
Daullet dhe trumbetat ku m’i ke?

90

Ç’fitova nga të gjith’ andrallat? Hiç!
Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç!
Sa para bën se sot jam Yll e Dritë
Kur shuhem nesër, shkoj me prrallat? Hiç!