Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë publike statistikat mujore të veprave penale për muajin qershor 2025, të cilat tregojnë një rritje të rasteve të lëndimeve trupore, por ulje të ndjeshme të vjedhjeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Sipas të dhënave të policisë, gjatë muajit të kaluar nuk është regjistruar asnjë rast vrasjeje apo grabitjeje, mirëpo janë shënuar më shumë raste të dhunës fizike.


Sipas njoftimit, gjatë muajit qershor në Ferizaj u arrestuan 83 persona, 2 më shumë se në të njëjtën periudhë në vitin 2024 që paraqet një rritje prej 2.5%.

Ndërkaq të arrestuar sipas urdhëresës së gjykatës janë 110 raste nga 168 vitin e kaluar, me një rënie prej 34.5%.

Policia e Ferizajt njofton se ka ndërmarrë një sërë masash parandaluese dhe operative për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke intensifikuar patrullimet dhe kontrollet në zona të ndryshme të qytetit dhe fshatrave përreth.

Policia fton qytetarët të jenë më të angazhuar në parandalimin dhe raportimin e veprave penale, duke theksuar se çdo informacion është i rëndësishëm për garantimin e sigurisë. /Telegrafi/