Disa ditë më parë brenda një tramvaji në qendër të Zagrebit, Kroaci, është rrahur brutalisht një i ri, derisa një tjetër ka pësuar lëndime më të lehta.
Policia kroate ka arritur të arrestojë sulmuesit, kurse pamjet e këtij sulmi janë bërë virale në rrjetet sociale, e pikërisht përmes këtyre pamjeve policia arriti të identifikojë dhe lokalizojë autorët e sulmit, transmeton Telegrafi.
“Lidhur me videon e publikuar në rrjetet sociale – përkatësisht të sulmit fizik në tramvaj, policia e Zagrebit ka filluar hetimet”, thuhet në kumtesën e policisë kroate.
Është konfirmuar se gjatë 18 shtatorit, rreth orës 15:20 në tramvaj në sheshin Josip Jelaçiq, dy meshkuj sulmuan dy tjerë 23-vjeç, ku si pasojë njëri pësoi lëndime të rënda trupore, e tjetri më të lehta.
“Policia ka arrestuar dy meshkuj, një 20-vjeçar dhe një 36, nën dyshimin për sulm fizik dhe lëndim trupor”, thuhet ndër tjera në kumtesën e policisë. /Telegrafi/