Rizvanolli kërkon llogari në KEK për ndaljen e paplanifikuar të Bllokut A4, kërkon nga operatorët të mos përhapin panik
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar pas shqetësimeve për ndaljen e prodhimit të energjisë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Ajo, bashkë me Kryesuesin e Bordit Valdrin Krasniqi dhe ushtruesin e detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Gramos Hashani, vizitoi termocentralet për të parë nga afër gjendjen aktuale dhe punët që po bëhen për rikthimin e kapaciteteve.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se njësia A3 është kthyer në operim që nga mesnata e mbrëmshme dhe pritet të vazhdojë prodhimin.
Sanimet në njësinë A5 do të nisin së shpejti, ndërsa kjo pritet të hyjë në funksion brenda pak ditësh.
Njësia B1 është në punë, por do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve gjatë fundjavës me synim rikthimin në operim të hënën.
Ndërkohë, modernizimi i njësisë B2 po vazhdon sipas planifikimeve.
Ministrja theksoi se ka kërkuar nga menaxhmenti që të shqyrtohen me kujdes rrethanat që çuan në ndaljen e paplanifikuar të njësisë A4, dhe të ndërmerren masa për të shmangur përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen.
"Nga menaxhmenti i KEK-ut kërkova që të shqyrtojnë me kujdes rrethanat që kanë çuar në ndaljen e paplanifikuar të bllokut A4 dhe të ndërmerren masat që ky problem të evitohet në të ardhmen. Njëkohësisht, në rast se konstatohet neglizhencë në çfarëdo niveli, të ndërmerren masat më të rrepta në përputhje me rregulloren e punës".
Ajo shtoi se në rast të konstatimit të neglizhencës në çfarëdo niveli, duhet të ketë masa të rrepta disiplinore.
“Ftoj operatorët që të përmbushin obligimet e tyre dhe të mos përhapin panik të panevojshëm tek qytetarët”, përfundoi Rizvanolli./Telegrafi/






























