Dy grupe që kultivojnë muzikë të veçantë, “Gipsy Groove” nga Kosova dhe “Baba Zula” nga Turqia, me koncertin në Lumbardh të Prizrenit, pak ditë para mbylljes së përkohshme të kinemasë për restaurim, i kanë dhuruar publikut një nate të mbushur me ritëm, emocion dhe kujtesë kolektive.

Energjia e pashtershme e “Gipsy Groove” dhe më pastaj tingujt psikodelikë të “Baba Zula” janë ndërthurur në koncertin që ka tejkaluar kufijtë muzikorë dhe ka dëshmuar lidhjen e publikut me Lumbardhin si platformë e kulturës alternative.


Në skenën nën qiell të hapur fillimisht është paraqitur bendi “Gipsy Groove”, duke sjellë muzikën rome të ndërthurur me jazz, reggae, funk, ska, drum, bass për të krijuar një atmosferë unike.

Këngëtari i këtij bendi, Bajram Kinolli, i njohur me nofkën Kafu, performancën në Prizren e ka përjetuar si kthim në shtëpi.

“Ardhja në Prizren është gjithmonë ndjenjë shumë e veçantë për neve si bend, sepse së pari kemi filluar në këtë qytet, edhe si emër, edhe si bend, edhe si ide, edhe krejt. Për mua është gjithmonë e veçantë në Prizren, sidomos në Lumbardh që është një qendër kulturore që ka shumë rëndësi dhe ka dhënë shumë program kulturor gjithmonë, jo veç përpara në kohën e komunizmit, po edhe tash në kohën tonë ku jemi në liri”, ka thënë Kafu për Telegrafin.

gipsy groove lumbardh prizren scaled e1748765000452

Gjithashtu ka shfaqur optimizmin që Lumbardhi pas restaurimit të kthehet si hapësirë për program artistik e kulturor të lirë.

“Besoj që Lumbardhi do të rikthehet me një program të pasur. Besoj që rinia do ta merr në dorë ma së pari, se aty është shpresa. Edhe shpresoj shumë me pas programe sa më të mëdha, mos me pas asi dogma,  kufizime, se Prizreni është një qytet me shumë diversitet, edhe ka nevojë për shumë gjëra të bukura prej krejt botës me i pas në Prizren, sikur që i kemi pas gjithmonë”, ka deklaruar Kafu për Telegrafin.

Të lumtur për rikthimin në Prizren kanë qenë edhe anëtarët e bendit Baba Zula. Grupi muzikor nga Stambolli ka sjellë një përvojë përtej muzikës, që ngjasonte pothuajse me një udhëtim ritualistik që përfshinte vallëzim, poezi e kostume të zgjedhura, për të krijuar një tjetër përvojë të papërsëritshme për audiencën.

baba zula pz scaled e1748764899987

Murat Ertel nga Baba Zula rikthimin në Prizren e ka cilësuar si përjetim të bukur.

“Këtu ndihemi si në vendlindjen tonë, me të vërtetë. Mirë se ju gjetëm. Kjo është paraqitja jonë e dytë në Prizren. Herën e parë kemi qenë në vitin 2013, nëse nuk gaboj. Ose në vitin 2012. Kanë kaluar vitet, por qenka bërë shumë bukur. Ri-takimi këtu është shumë i bukur”, është shprehur ai, raporton Telegrafi.

baba zula prizren scaled e1748764940625

Me këtë koncert, Lumbardhi është përshëndetur përkohësisht me audiencën, me shpresën për t’u rikthyer në një të ardhme të afërt me një infrastrukturë të përmirësuar, por me të njëjtën frymë të hapur dhe krijuese, për të vijuar misionin si qendër kulturore në zemër të Prizrenit. /Telegrafi/