Sulmuesi kosovar i FC Sion, Rilind Nivokazi, ka zhvilluar një paraqitje të jashtëzakonshme duke realizuar het-trik në fitoren 3-1 ndaj Young Boysit në kuadër të Superligës së Zvicrës.

Nivokazi hapi serinë e golave në minutën e 15-të, dyfishoi epërsinë në minutën e 42-të, ndërsa vulosi fitoren me golin e tretë personal në minutën e 77-të.


Sulmuesit kosovar iu anulua edhe një gol në minutën e 60-të, që do ta çonte shifrën e tij personale në katër realizime për sot.

Për performancën e tij mbresëlënëse, ai u vlerësua si lojtari i ndeshjes nga SofaScore me notën e lartë 9.4.

Me këtë tre golësh, Nivokazi shkon në kuotën e 14 golave në elitën e futbollit zviceran, duke u konfirmuar si një nga sulmuesit më në formë të kampionatit.

Duke parë formën e tij aktuale, nuk do të ishte aspak befasi nëse përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, do t’i dërgonte ftesë për ndeshjet e muajit mars. /Telegrafi/

telegrafi sport app