Rikthimi në politikë, a i humb beneficionet Vjosa Osmani pas mandatit si presidente?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar rikthimin në jetën aktive politike pas përfundimit të mandatit më 4 prill, duke hapur debat për të drejtat dhe beneficionet që i takojnë pas largimit nga posti më i lartë shtetëror.
Sipas profesorit të çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ligji për presidentin parasheh një sërë privilegjesh për ish-kreun e shtetit.
Ndër më kryesoret janë pagesa e përhershme në vlerë prej 70 për qind të pagës aktuale, pasaporta diplomatike, staf mbështetës, zyrë dhe privilegje të tjera protokollare, përfshirë edhe referimin si “president”.
Për pesë vitet e para pas përfundimit të mandatit, këto beneficione përfshijnë edhe mbështetje institucionale më të gjerë, si staf dhe mbulim të shpenzimeve për aktivitete publike.
Baraliu thekson se ligji nuk jep një përgjigje të qartë në rast se një ish-presidente rikthehet aktivisht në politikë, duke e cilësuar këtë si një “vakum ligjor”. Sipas tij, nuk është e përcaktuar në mënyrë taksative nëse përfshirja politike ndikon në vazhdimin e këtyre përfitimeve.
Në aspektin juridik, ai nënvizon se çdo gjë që nuk është e ndaluar shprehimisht mund të konsiderohet e lejuar. Megjithatë, sipas tij, fryma e ligjit sugjeron që këto beneficione janë menduar për ish-presidentë që nuk janë më aktivë në jetën politike apo publike.
Ai rikujton gjithashtu se neni 23 i ligjit i jep mundësi ish-presidentes që, me kërkesë personale, të heqë dorë nga këto beneficione.
Përtej aspektit ligjor, Baraliu ngre edhe dimensionin etik.
Sipas tij, nuk është e qëndrueshme që një individ të përfitojë njëkohësisht nga privilegjet e ish-presidentit dhe nga ato që burojnë nga angazhimi aktiv politik. Në këtë kuptim, ai vlerëson se rikthimi në politikë duhet të shoqërohet me dorëheqje nga këto beneficione, si një akt korrektësie ndaj institucioneve.
Ndërkohë, Vjosa Osmani ka shprehur ambicie edhe për një mandat të dytë presidencial, por deri më tani nuk ka siguruar mbështetjen e ndonjë partie parlamentare në Kuvend, raporton KP.




















































