Bislimi: SHBA kërkon raport për diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Gjatë dëgjimit në Komitetin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në ShBA, kongresisti Keith Self prezantoi rezolutën e parë ndonjëherë të Kongresit Amerikan që trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginë.
Kjo u bë e ditur nga ish-deputeti Faton Bislimi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Ai tha se kryetari i Nënkomitetit për Evropë theksoi se “ka ardhur koha që Serbia të mbahet përgjegjëse” për trajtimin e shqiptarëve etnikë në këtë rajon, duke e cilësuar pasivizimin administrativ si formë të “spastrimit etnik me mjete administrative”.
"Rezoluta kërkon që Departamenti i Shtetit të përgatisë një raport zyrtar mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke përfshirë: pasivizimin e adresave, i cili prej vitesh është kritikuar nga organizatat ndërkombëtare, mosnjohjen e diplomave të shqiptarëve, mungesën e përfaqësimit proporcional në institucionet shtetërore të Serbisë, si dhe praktika të tjera të dokumentuara të diskriminimit", shkroi Bislimi në Facebook.
Sipas Bislimit, ky është një moment historik dhe “kapitulli më i rëndësishëm diplomatik për Luginën në SHBA”.
Më tej shtoi se ky hap është rezultat i një pune shumëvjeçare dhe i përkushtimit të komunitetit shqiptaro-amerikan, veçanërisht në Dallas.
Bislimi vlerësoi se rezoluta dërgon një mesazh të qartë se çështja e Luginës së Preshevës nuk do të anashkalohet më dhe se të drejtat e shqiptarëve në atë zonë nuk mund të shkelën pandëshkueshëm.
“Lugina e Preshevës nuk është e harruar. Zëri ynë është dëgjuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara”, u shpreh ai, duke e cilësuar ditën si “historike dhe motivuese për vazhdimin e angazhimit”./Telegrafi/


















































