Rezarta Shkurta rrëfen periudhën e vështirë, kur bashkëshorti i saj ishte në burg

Rezarta Shkurta vazhdon të mbetet një prej artisteve më të dashura shqiptare, përkundër se ka kohë që nuk ka sjellë projekte të reja.
Ajo tashmë duket se është e përkushtuar më shumë në familje dhe jetën e saj personale, derisa së fundmi në një intervistë të dhënë për Prive, ka rrëfyer se si e priti rikthimin e bashkëshortit të saj, Ermalit, pas katër vitesh mungesë.
Bukuroshja nga Shqipëria tregoi se gjëra të vogla ia bënë të vështirë, por që shumë shpejt çdo gjë u kthye në normalitet.
"Ishin katër vite mungesë dhe kur ishim përballë njëri-tjetrit kuptuam që këto katër vite ishin shumë. Gjëra të vogla ma bënë të vështirë. Isha mësuar të flija vetëm këto katër vite dhe rikthimi i të fjeturit bashkë, në fillim ishte bukur, por pastaj natën e gjenim veten njëri tek cepi i krevatit, tjetri tek cepi, të çliruar", tha Rezarta duke qeshur.

"Fatmirësisht dhe fatkeqësisht se ndonjëherë më vjen inat, jam çmendurisht e dashuruar me atë burrë. Jam një grua e varur nga dashuria për partnerin e saj. Dashuria na bëri të kalojmë çdo gjë dhe jam e bindur që kjo sprovë që kaluam ishte asgjë, mund të kalojmë dhe dallga më të mëdha dhe Zoti mos na vëntë në prova të tilla", u shpreh ajo.
"Më kishin thënë që kur të vijë në shtëpi ato vite mungesë do duken sikur nuk kanë ekzistuar. Ishte e vërtetë. Përveç dy ditëve të para, që ishte natyralitet dhe gëzim, ditët në vazhdim dukej sikur nuk kishte ndodhur asnjëherë ajo që kishte ndodhur. Kur më thonë 'E fortë si e ke kaluar', më duket sikur flasin për dikë tjetër. Kam harruar që unë e kam përjetuar. Ka arritur shumë natyrshëm aty ku e lamë, qoftë për mua, qoftë për vajzën tonë", përfundoi Rezarta.
E njëjta po vazhdon të korrë sukese të mëdha me biznesin e saj "Hera Company", të cilin së fundmi e ka hapur edhe në Prishtinë. /Telegrafi/































































