Nga: Amelia Glaser dhe Marci Shore / CNN (titulli origjinal: The heroism of Ukraine and the nihilism of Mike Johnson)
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Të hënën në mëngjes, nga Krimea e pushtuar rusët lëshuan, drejt Kievit, dy raketa balistike hipersonike. Miqtë tanë dëgjuan shpërthimin dhe njëkohësisht edhe sirenat për sulm ajror – gjë që është e pazakontë. Raketat hipersonike janë më të shpejta sesa shpejtësia e zërit.
Fragmentet goditën Akademinë e Arteve Dekorative, të Aplikuara dhe Dizajnit, ku studentët, duke mos pasur kohë për të shkuar në strehimore, u shtrinë përtokë.
Kievi varet nga mbrojtja ajrore. Nga ana tjetër, mbrojtja ajrore varet nga ndihma amerikane dhe kjo ndihmë aktualisht mbahet peng nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili për momentin është një ndër aleatët më të fuqishëm të presidentit rus Vladimir Putin.
Jemi studiuese amerikane të sllavistikës dhe sapo jemi kthyer nga Kievi. Nuk është e lehtë të shkosh atje këto ditë. Udhëtimi zgjat të paktën 36 orë nga Nju-Jorku. E morëm një fluturim të natës nga [aeroporti i Nju-Jorkut] JFK për në Varshavë – ku lufta nuk ndihet si shumë e largët. Nga Varshava i kaluam katër orë me tren për në qytetin kufitar polak të Çelmit. E, nga Çelmi i kaluam edhe 13 orë të tjera për të arritur në kryeqytetin ukrainas – me trenin ukrainas që mbërriti saktësisht në kohë.
Asnjëra prej nesh nuk ka qenë në Kiev qëkur koronavirusi mbylli botën.
“A keni dëgjuar se si përfundoi koronavirusi?” – thotë shakaja ukrainase.
“Bum! Bum! Bum”!
Kolegët tanë në Shkollën Ekonomike të Kievit donin që ne të ndiheshim të sigurta, kështu që e angazhuan Andriin, një zyrtar të gjatë policie që tashmë është në pension, për të qenë konsulenti ynë për sigurinë. Na këshilloi të instalonim dy aplikacione për sulm ajror dhe të përcjellim vendndodhjen e raketave në Telegram.
Të dielën në mbrëmje ishim duke u kthyer për në Kiev nga Buça – nga periferia e Kievit ku forcat ruse kryen masakër në marsin e vitit 2022 – dhe alarmi i parë u shfaq në telefonat tanë.
“Në rregull është”, dërgon Andrii një mesazh, “raketa është në anën tjetër të qytetit. Më dërgoni mesazh kur arrini të sigurta në shtëpi”.
Në Ukrainë janë të pandërprera alarmet për sulm ajror. Raketat vazhdojnë të vijnë. Të gjithë kanë humbur dikë. Por, Kievi lulëzon në mënyrën e vet. Në qendër të qytetit, një librari e re e quajtur Sens ka seksion të madh të letërsisë ukrainase dhe një kafene me ndriçim të mirë që shërben sallatën kinoa me avokado. Ka kafene elegante dhe është restoranti Crimean Tatar me meze rrepe dhe babaganush të mrekullueshëm.
Janë dy ekspozita të retrospektivës që shfaqin piktorin e ndjerë ukrainas të Valës së Re, Oleksandr Roytburd. Njëra prej tyre ka një linjë të vazhdueshme që dredha-dredha del nga galeria Pinchuk dhe matanë rrugës drejt tregut Besarabka. Roytburd vdiq nga kanceri, nga ndërlikimet që iu shkaktuan nga koronavirusi më 2021.
Piktorja monumentaliste Alla Horska u vra në vitin 1970, me shumë gjasa nga KGB-ja. Retrospektiva e saj e parë tani është e hapur në Shtëpinë e Ukrainës – një sallë ekspozite nga epoka sovjetike me atmosferë shpellore – pranë qendrës së qytetit. Kur ra një sirenë për sulm ajror, udhërrëfyesi i ekspozitës i inkurajoi vizitorët të zhvendoseshin në strehën për bomba: “Në katin e bodrumit ka një shërbim me pagesë dhe librari. Zbritni ju lutem dhe pini nga një filxhan kafe”.
Në Shkollën Ekonomike të Kievit [KSE], Tymofiy Mylovanov – presidenti i shkollës dhe ish-ministër i Tregtisë i Ukrainës – na tregoi dhomat e leksioneve nëntokësore në të cilat do të zhvendoseshim në rast të një alarmi për sulm ajror. Në seancat publike në KSE, Amelia foli me poetet Iya Kiva dhe Olena Huseinova për luftën që nuk mund të përkthehet dhe për urgjencën e përkthimit pavarësisht pamundësisë së saj.
Marci foli me filozofët Tetyana Ogarkova dhe Volodymyr Yermolenko – për Grenzerfahrungen, për “përvojat kufitare”. Çfarë ndodh kur qoshja bëhet qendër? Në diskutimin akademik, vdekja dikur ishte metaforë – vdekja e metafizikës, vdekja e autorit. Vdekja tani nuk është më metaforë. Publiku i tejmbushur qëndroi për më shumë se dy orë për të menduar për filozofinë dhe për luftën.
Këtë shkurt, Putini u mburr para Tucker Carlsonit për Traktatin Perejaslavit të vitit 1654, midis udhëheqësit kozak Bohdan Khmelnytsky dhe Moskës. Ky traktat, pretendonte ai, ia dha Rusisë të drejtën të kontrollonte Ukrainën bashkëkohore. Edhe Carlsoni dukej i habitur nga ky anakronizëm.
Khmelnytsky ishte udhëheqës kozak i cili kujtohet si kombndërtues në Ukrainë, si unifikues në Rusi, si tradhtar në Poloni. Hebrenjtë e kujtojnë si nxitës të masakrave. Në një diskutim në zyrat e Fulbrajtit në Kiev rreth trashëgimive të ndryshme të Khmelnytskyt, historiani Oleksandr Halenko mendoi se Amelia, studiuese e studimeve hebraike, shumë shpejt jepi shpjegim përmes pogromeve. “A doje të ma bëje qejfin?”, donte të dinte. Ukraina, duke luftuar për mbijetesën e vet, po i rimendon gjithashtu ikonat e veta historike.
Në Kiev të gjithë janë të mësuar me luftën. Nuk mund ta injorojnë, madje janë mësuar me një ritëm jete që skalitet nga shtetrrethimi dhe nga sulmet ajrore të cilat mund të ndërpresin gjithçka në çdo moment. Ata e dinë se kanë pak kuptim debatet nëse Perëndimi mund ta paqësojë Putinin, duke ia bërë me dije se NATO nuk do të zgjerohet kurrë ose nëse Ukraina duhet të ngre qetash flamurin e bardhë dhe të negociojë.
Putini dhe aleatët e tij e kanë përqafuar praktikën e shkatërrimit, mesa duket për hir të shkatërrimit. Dhe, ukrainasit e dinë se as negociatat dhe as dorëzimi nuk janë të mundshme. Janë të përcaktuar që të vazhdojnë të jetojnë.
Në orën 12:49 të mëngjesit të së enjtes, më 21 mars, Andrii na dërgoi një mesazh me pikëçuditëse të kuqe: “Grupet e zbulimit raportojnë ngritjen e 10 Tu-95 nga baza ajrore Olenja. Mos e injoroni alarmin e sulmit ajror”!
Dy minuta më vonë e shkroi përsëri një mesazh: “Me shumë gjasa mes orës pesë dhe gjashtë të mëngjesit do të ketë sulm masiv me raketa. Në rast alarmi, shkoni në strehimore”.
Ne të dyja jemi profesoresha të shkencave humane, jo specialiste të sigurisë. Kërkuam në Google për Tupolev ose Tu-95: ishte bombardues i madh me motor turboprop, i projektuar në vitet 1950 për të transportuar disa raketa në të njëjtën kohë dhe në distanca të mëdha. Rusia i përdori ato në Siri në vitin 2016. Tani u nisën nga baza ajrore Olenja, në jug të qytetit rus të Murmanskit.
Sirena e sulmit ajror erdhi në orën 3:21. Mbathëm këpucët, morëm xhaketat dhe telefonat dhe zbritëm në garazhin e parkingut nëntokësor – i ripërcaktuar si strehë për bombardimet në hotel. Telefonat e ndriçuan garazhin. Të gjithë i ndiqnin kanalet e Telegram-it, me lajmet me burime nga turma.
Ish-studenti i Marcit, Sergii, e shkroi një mesazh në një bisedë në grup: “Ulur në korridor, mes mureve”. Miku i tij iu përgjigj: “Të lutem shko në strehimoren për bomba”. Ka nivele të zgjedhjes: rri në shtrat; shko në vaskë ose në korridor ose në strehimoren në bodrum ose në stacionet e metrosë të cilat janë më të thella. Të ndërtuara në vitet 1950, me synimin për t’u dyfishuar si strehimore në rast të sulmit të NATO-s, ato janë opsioni më i sigurt. Sergii i dërgoi pamjet e ekranit nga kanalet në Telegram që ndoqi: “Mos u relaksoni. Vala e dytë po vjen pas pesëmbëdhjetë minutave”.
Motra e Sergiit dëgjoi shpërthimet në orën 5:00 të mëngjesit dhe më pas u kthye për të fjetur. Vendosi ta shfrytëzojë rastin. “Gjumi i shëndetshëm = psikikë e shëndetshme”, shkroi ajo.
Qëndruam në strehën e bombave teksa 31 raketa arritën në rajonin e Kievit. Alarmi përfundoi në orën 06:10 – dy orë e dyzet e nëntë minuta më vonë. Aplikacionet e të gjithëve më pas njoftuan në unison: “Vini re! Alarmi ajror mbaroi. Forca qoftë me ju”!
Të gjitha sinjalizimet për sulm ajror përfundojnë me “Forca qoftë me ju”! Mark Hamill – alias Luke Skywalker – ka vënë kontakte me Ukrainën.
Një grua në një kioskë pyeti se çfarë mendonim për sulmet. “Prita në banjë”, tha ajo. “Metro është shumë larg dhe nuk kam bodrum”.
Atë mëngjes, mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 31 raketat ruse. Andrii na tregoi fotot që bëri nga dritarja e banesës – të raketave mbrojtëse të cilat arrinin objektivat. Mbi një duzinë e njerëzve u plagosën në periferi të Kievit, kur copat e raketave të shkatërruara ranë; disa ndërtesa janë dëmtuar dhe ka kratere të mëdha në tokë.
Kievi e ka mbrojtjen më të mirë ajrore në Ukrainë; vendit i mungojnë burimet për të mbrojtur qytetet e tjera në këtë mënyrë. Ndaj, qytetet e tjera nuk ia dalin mbanë.
Vetëm para agimit të së enjtes, Rusia – një vend ku miliona qytetarë janë shumë të varfër për të pasur ujë në shtëpi – shpenzoi rreth 390 milionë dollarë duke gjuajtur raketa në Ukrainë, thotë Agiya Zagrebelska, udhëheqësja e politikës së sanksioneve në Agjencinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit. Nihilizmi i këtij fakti është tronditës.
“Sa shkolla mund të ndërtoni me ekuivalentin e atyre parave …?” – na dërgoi një mesazh Arad Benkö, ambasadori austriak në Ukrainë.
“Pesimistët nuk i fitojnë luftërat”, ka thënë disa orë më vonë admirali Rob Bauer – kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s – para një audience në Forumin e Sigurisë në Kiev. Theksoi se mbrojtja ajrore e Ukrainës ka bërë punë spektakolare në atë mëngjes, duke rrëzuar çdo raketë të drejtuar kah Kievi.
“Nuk ka asgjë që nuk mund të bëni”, u tha Bauer ukrainasve, “e vetmja gjë që ju nevojitet është ndihma jonë”.
Por, ndihma e rinovuar nuk ka ardhur. Shtetet e Bashkuara në thelb kanë shmangur Ukrainën, dhe mbrojtja ajrore e Ukrainës me shpejtësi po i mbaron municionet. Është çështje e javëve – ose ditëve – para se të harxhohen.
“Më vjen mirë që erdhët tash”, na tha përkthyesja e letërsisë, Iaroslava Strikha. “Brenda disa javëve mund të mos kemi raketa mbrojtëse për ta mbajtur Kievin të sigurt”.
Mike Johnson, që varet nga Donald Trumpi i cili e ka lavdëruar Putinin, po i mban peng 42 milionë njerëz në Ukrainë. Në të gjithë Ukrainën, fëmijët varrosen vazhdimisht nën rrënoja – pasi vriten nga breshëria e raketave të Kremlinit.
Ukrainasit e dinë se jeta e tyre varet nga fakti nëse Johnsoni sjell ose jo Suplementin e Sigurisë Kombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve. Polakët, lituanezët, letonët dhe estonezët e dinë se nga kjo varet edhe jeta e tyre: e dinë se lufta mund të kalojë në kufijtë e tyre në çdo moment, dhe se ukrainasit po luftojnë edhe për ata. Ndërsa, dalëngadalë dhe francezët dhe gjermanët po e kuptojnë se jemi sa një qime floku larg nga Lufta e Tretë Botërore.
Në hapjen e Forumit të Sigurisë, ish-kryeministri ukrainas, Arseniy Yatsenyuk, iu drejtua Johnsonit: “Bota të sheh. Je një i krishterë i devotshëm, z. Kryetar, kështu që Zoti gjithashtu të sheh”.
Putini, me paratë e naftës ka shumë më shumë burime ushtarake sesa Ukraina. Për më tepër, nuk e ka asnjë brengë për të shpenzuar gjithë pasurinë kombëtare të Rusisë – ose për të rrjedh gjak në gjithë popullin e vet. Kur jetët e njerëzve të tjerë nuk kanë kuptim për ty, atëherë e ke dorën e lirë për të vepruar.
Pasi aterruam përsëri në JFK, e fikim tingullin e sulmit ajror në telefonat tanë. Por, nuk e kemi fshirë aplikacionin. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
ASHIK QERIBI
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Konfiteori i artistit
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme