LAJMI I FUNDIT:

Reparti për IVF në QKUK pret pajisjet për funksionalizim

Reparti për IVF në QKUK pret pajisjet për funksionalizim
Foto: Ilustrim

Zana nga Prishtina [identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë] thotë se dëshiron t’i nënshtrohet metodës së fertilitetit të asistuar mjekësor (IVF), por kjo procedurë ende nuk ofrohet në institucionet shtetërore mjekësore.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë premtuar se deri në fund të vitit ky shërbim do të ofrohet për qytetarët.

Për shkak të mungesës së ligjit adekuat, kjo procedurë ofrohet vetëm në institucionet shëndetësore private të licencuara. Fertizilimi me IVF kushton mijëra euro dhe vetëm çiftet e martuara në Kosovë mund t’i nënshtrohen kësaj metode.


“Në fund të vitit jam interesuar për metodën e fertilizimit të asistuar mjekësor në Kosovë dhe nuk kam pasur mundësi ta kryej këtë shërbim për shkak të pagesave shumë të lart në spitalet private”, thotë Zana.

Ajo tregon se kjo procedurë ofrohet edhe jashtë shtetit, por shuma është shumë e lartë për të.

“Kostoja sillet duke nisur nga 4.000 euro e më lart. Kjo vlerë është e papërballueshme, vetëm përmes kredive dhe më është dukur shpenzim marramendës, duke pasur për bazë rrogat që janë në Kosovë”, thotë Zana.

Ajo shpreson që në një të ardhme, këtë procedurë shteti ta ofrojë falas për personat që duan të bëhen prindër:

“Shpresoj që shteti i Kosovës të lejojë pikë së pari ligjërisht vajzat beqare që të mund të bëhen nëna, në pamundësi për të gjetur një partner dhe për gratë që nuk mund të bëjnë fëmijë, shteti t’ua ofrojë këtë shërbim [IVF] dhe jo të detyrohen të shkojnë në shtetet fqinje apo edhe më larg”.

Çfarë është IVF?

IVF-ja është një metodë fertiliteti, së cilës i nënshtrohen personat që nuk mund të lindin fëmijë në mënyrë natyrale.

Përmes kësaj procedure, ekipi mjekësor heq vezët nga vezoret e një gruaje dhe më pas i fekondon ato me spermë në laborator. Embrionit të fekonduar i jepen disa ditë për t’u rritur dhe më pas ai vendoset në mitrën e gruas. Procesi zakonisht zgjat katër deri në gjashtë javë.

Por, as kjo metodë nuk është 100 për qind e suksesshme.

Në pritje të pajisjeve për IVF

Kosova synon që të ketë një repart të posaçëm për IVF në Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Për pajisjet e nevojshme për këtë repart, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 1.5 milion euro.

Në Klinikën e Gjinekologjisë, në kuadër të së cilës do të jetë reparti i IVF-it, po presin pajisjet për këtë metodë mjekësore. Punimet në infrastrukturë për repartin e ri veçse janë kryer.

Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, thotë se kur të kryhen përgatitjet dhe të vijnë pajisjet, personeli i Klinikës është i gatshëm për punë.

“Sa i takon çështjes së personelit profesional, trajnimeve e gjithçka tjetër, ne jemi të gatshëm të nisim punën menjëherë në momentin që t’i kemi pajisjet. Me sa e dimë, sa i përket çështjes së pajisjeve, procesi është në tenderim dhe kur të përfundojnë procedurat, besojmë se do të nisim punën”, thotë ai.

Ndërtimi i repartit për IVF kishte nisur tre vjet më parë dhe drejtuesit e atëhershëm të QKUK-së ishin zotuar se ky shërbim do të niste më 2021.

Por, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, thotë se deri në fund të këtij viti pritet të përfundojnë të gjitha punët dhe qytetarët do të mund t’i marrin shërbimet e nevojshme në këtë repart.

“Procedurat janë duke shkuar sipas planit. Natyrisht, këto janë procedura të prokurimit dhe ne nuk kemi mundësi as t’i shtyjmë e as t’i bëjmë më shpejt ose më ngadalë, sepse janë procedura që e kanë rrjedhën e vet. Për momentin, punët janë duke shkuar sipas planit dhe nëse do të ketë vonesa ato do të jenë nga prokurimi, mirëpo ne i kemi marrë të gjitha masat që të mos ketë vonesa”, thotë Viti.

Kundërshtime për Ligjin e ri të shëndetësisë

Institucionet private shëndetësore aktualisht e kryejnë metodën e IVF-it bazuar në Ligjin për shëndetësi dhe në bazë të një udhëzimi administrativ të MSH-së.
Por, ligji dhe ky udhëzim administrativ nuk ua mundësojnë grave beqare që t’i nënshtrohen metodës së IVF-it.

Qeveria e Kosovës i ka dërguar Kuvendit për miratim Ligjin e ri për shëndetësi, ku lejohet që një grua e pamartuar të lindë fëmijë përmes metodës IVF.

Por, deputetët nuk e kanë miratuar atë.

Në nenin 15 të ligjit thuhet se të drejtën e shfrytëzimit të metodës IVF ka personi i moshës madhore në bashkësi martesore ose jashtëmartesore, i cili sipas gjendjes së përgjithshme shëndetësore, është i aftë për punë dhe për përkujdesje prindërore.

Sipas ligjit, të drejtën e shfrytëzimit të IVF-it e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.

Kjo pjesë e legjislacionit është kundërshtuar nga disa deputetë. Në mesin e tyre është edhe kryetarja e Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, Duda Balje.
Balje thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk është e gatshme që të ofrojë shërbime të tilla për gratë beqare.

“Asnjë nga deputetët nuk jemi kundër [metodës] IVF për çiftet. IVF-ja është duke u bërë në Kosovë në klinika private, por kemi një pikë të diskutueshme që gratë vetë të bëjnë IVF, pa pasur burra. Ne mendojmë se ende nuk jemi gati për këtë për disa arsye. Personalisht mendoj se nëse një grua lind një fëmijë pa prind, ajo e lind një fëmijë jetim dhe po ashtu kjo është në kundërshtim me të drejtat e fëmijëve. [Nëse fëmija nuk i ka të dy prindërit] mendoj se është problem”, shprehet Balje.

Por, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, mendon krejt ndryshe. Ai thotë se është në kundërshtim me të drejtat e njeriut nëse një gruaje të pamartuar i ndalohet që të ketë fëmijë përmes IVF-it.

Sipas tij, çështja e metodës IVF duhet të rregullohet me ligj e jo vetëm përmes udhëzimeve administrative.

“Unë konsideroj se çdo kufizim dhe cenim i kësaj të drejte është shkelje e të drejtave të njeriut. Kështu që për mua detyrimisht duhet të lejohet dhe rregullohet me ligj”, thotë Qelaj për Radion Evropa e Lirë.

Ministri Vitia thotë se ekzekutivi nuk do të ndalet deri në miratimin e ligjit, të cilin ai e cilëson si shumë të rëndësishëm.

Vitia pret që Ligji për shëndetësi të miratohet në Kuvend gjatë sesionit të vjeshtës.
Sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në prill të këtij viti, një në gjashtë persona në botë përballet me probleme steriliteti.

Sipas kësaj i bie që 16 për qind e popullatës botërore përballet me këtë problem.

Në trend Lajme

Më shumë
Bronkiti, tuberkulozi e kanceri i mushkërive, doktoresha Mehmeti flet në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

Bronkiti, tuberkulozi e kanceri i mushkërive, doktoresha Mehmeti flet në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

Shëndetësi
Detaje nga vrasja e djalit të ish-gjyqtarit, gjendet një makinë e djegur në Farkë

Detaje nga vrasja e djalit të ish-gjyqtarit, gjendet një makinë e djegur në Farkë

Lajme
Vritet 28-vjeçari në Tiranë, djali i ish-gjyqtarit për krime të rënda

Vritet 28-vjeçari në Tiranë, djali i ish-gjyqtarit për krime të rënda

Lajme
Zogaj: Do të bëjmë pesë miliardë euro investime për një mandat, 30% të buxhetit të shtetit do ta çojmë në paga

Zogaj: Do të bëjmë pesë miliardë euro investime për një mandat, 30% të buxhetit të shtetit do ta çojmë në paga

Politikë
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej

Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej

Lajme
Ahmeti, Kurtit: Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare

Ahmeti, Kurtit: Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare

Politikë
Kalo në kategori