Presidenti amerikan ka qenë mjaft i qartë se Kuba, Meksika, Kolumbia dhe Grenlanda janë në shënjestrën e tij. Duhet t’i besojmë.

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com


Teksa horizonti i Karakasit ndriçohej nga bombat amerikane, i shihnim simptomat morbide të një perandorie në rënie. Mund të tingëllojë si diçka kundër intuitës. Në fund të fundit, ShBA-ja ka rrëmbyer një udhëheqës të huaj dhe Donald Trumpi tha se do të “drejtojë” Venezuelën. Sigurisht që kjo duket më pak si kalbëzim dhe më shumë si dehje: një superfuqi e dehur nga forca e vet.

Por, virtyti më i madh i Trumpit, nëse mund të quhet i tillë, është sinqeriteti. Presidentët e mëparshëm amerikanë i fshihnin interesat e zhveshura vetjake prapa gjuhës së “demokracisë” dhe “të drejtave të njeriut”. Trumpi nuk ka nevojë për maskë. Në vitin 2023, ai mburrej: “Kur u largova, Venezuela ishte gati të shembej. Duhej ta kishim pushtuar, do ta kishim marrë gjithë atë naftë, do të ishte aty pranë”. Dhe, kjo nuk ishte një deklaratë spontane. Logjika e kapjes së naftës, dhe shumë më tepër se kaq, është paraqitur qartë në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të Trumpit, publikuar së fundmi.

Dokumenti pranon diçka që prej kohësh mohohej në Uashington: se hegjemonia globale e ShBA-së ka marrë fund. “Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, elitat e politikës së jashtme amerikane e bindën veten se dominimi i përhershëm amerikan mbi të gjithë botën ishte në interesin më të mirë të vendit tonë”, thuhet aty me përbuzjen që mezi fshihet. “Ditët kur Shtetet e Bashkuara mbanin në këmbë të gjithë rendin botëror, si Atlas, kanë marrë fund”. Këto janë si rite jozyrtare të ceremonisë mortore për statusin e superfuqisë amerikane.

Ajo që e zëvendëson është një botë e perandorive rivale, secila duke imponuar sferën e vet të ndikimit. Dhe, për ShBA-në, ajo sferë ka të bëjë me Amerikat. “Pas vitesh neglizhence”, shpall strategjia, “Shtetet e Bashkuara do të riaktivizojnë dhe zbatojnë Doktrinën Monroe për të rikthyer epërsinë amerikane në hemisferën perëndimore”. Doktrina Monroe, e formuluar në fillim të shekullit XIX, pretendonte të bllokonte kolonializmin evropian. Në praktikë, ajo hodhi themelet për dominimin amerikan mbi oborrin e pasmë të saj: Amerikën Latine.

Dhuna në Amerikën Latine, ndihmuar nga Uashingtoni, nuk është gjë e re. Prindërit e mi strehuan refugjatë që kishin ikur nga diktatura e djathtë e Kilit, e instaluar pasi presidenti socialist Salvador Allende u rrëzua nga një grusht shteti i mbështetur nga CIA. “Nuk shoh përse duhet të qëndrojmë dhe të shohim një vend të bëhet komunist për shkak të papërgjegjshmërisë së popullit të tij”, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit i asaj kohe, Henry Kissinger. E njëjta logjikë mbështeti regjimet vrasëse në Brazil, Argjentinë, Uruguai, Paraguai dhe Bolivi, si dhe në Amerikën Qendrore dhe Karaibe.

Por, në tri dekadat e fundit, ky dominim është vënë në pikëpyetje. E ashtuquajtura “valë rozë” e qeverive progresiste, e udhëhequr nga presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, kërkoi të afirmonte më shumë pavarësinë rajonale. Dhe, kryesorja, Kina - rivali kryesor i ShBA-së - është rritur në ndikim në të gjithë kontinentin. Tregtia dypalëshe e mallrave mes Kinës dhe Amerikës Latine ishte 259 herë më e madhe në vitin 2023 sesa më 1990. Kina tani është partneri i dytë më i madh tregtar i kontinentit, pas ShBA-së. Në fund të Luftës së Ftohtë, ajo nuk ishte as në dhjetëshen e parë. Sulmi i Trumpit ndaj Venezuelës është vetëm hapi i parë në një përpjekje për ta përmbysur gjithë këtë.

Përvoja e mandatit të parë të Trumpit ka shtyrë shumë njerëz të mendojnë se lideri autoritar në Shtëpinë e Bardhë ishte vetëm një flluskë. Atëherë, ai arriti një marrëveshje me elitën tradicionale republikane. Marrëveshja e pashkruar ishte e thjeshtë: do të ofronte ulje taksash dhe shmangie të rregulloreve, dhe do të mund të shfryhej pa fund në rrjetet sociale. Trumpi i mandatit të dytë është një regjim i plotë i së djathtës ekstreme.

Kur ai kërcënon presidentët e zgjedhur në mënyrë demokratike të Kolumbisë dhe Meksikës - besojeni. Kur ai deklaron, me kënaqësi që mezi fshihet, se “Kuba është gati të bjerë” - besojeni. Dhe, kur thotë: “Na duhet Grenlanda, absolutisht” - besojeni. Ai me të vërtetë synon të aneksojë mbi dy milionë kilometra katrorë territor evropian.

Nëse - kur - Grenlanda përpihet nga një perandori trumpiane, çfarë ndodh atëherë? Trumpi e ka vënë re përgjigjen qesharake të Evropës ndaj sulmit të tij të paligjshëm ndaj Venezuelës. Por, konfiskimi amerikan i territorit sovran danez do të nënkuptonte përfundimin e NATO-s që është themeluar mbi parimin e mbrojtjes kolektive. Toka e Danimarkës do të vidhej po aq haptazi sa gllabërimi i Ukrainës nga Rusia. Çfarëdo zhurmash të zbehta që do të dalin dalë nga Londra, Parisi apo Berlini, aleanca perëndimore do marrë fund.

Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, elitat amerikane e bindën veten se ishin të pathyeshme ushtarakisht dhe se modeli i tyre ekonomik ishte pika kulmore e zhvillimit njerëzor. Kjo arrogancë çoi drejtpërdrejt në katastrofë në Irak, Afganistan dhe Libi, si dhe në krizën financiare të vitit 2008. Elitat amerikane i premtuan popullit ëndrra utopike dhe më pas i tërhoqën zvarrë nga një dështim në tjetrin. Vetë trumpizmi lindi nga ky zhgënjim masiv. Por, reagimi “Së pari Amerika”, ndaj rënies së ShBA-së, është braktisja e dominimit global në favor të një perandorie hemisferike.

Çfarë mbetet për vetë ShBA-në? Kur ShBA-ja mundi Spanjën në fund të shekullit XIX dhe mori Filipinet, disa figura të shquara themeluan Ligën Amerikane Anti-Imperialiste. “Besojmë se politika e njohur si imperializëm është armiqësore ndaj lirisë dhe çon drejt militarizmit”, deklaronin ata, “një e keqe prej së cilës kemi pasur lavdinë të jemi të lirë”.

“Deklarojmë se asnjë komb nuk mund të qëndrojë gjatë si gjysmë republikë dhe gjysmë perandori”, deklaroi Partia Demokratike në zgjedhjet presidenciale të vitit 1900, “dhe paralajmërojmë popullin amerikan se imperializmi jashtë vendit do të çojë shpejt dhe pashmangshëm në despotizëm brenda vendit”. Në fund, perandoria informale zëvendësoi kolonializmin e drejtpërdrejtë, dhe demokracia amerikane - gjithmonë me të meta të thella - mbijetoi.

Kush do t’i hidhte poshtë sot këto paralajmërime si ekzagjerime? Ajo që ndodh jashtë nuk mund të ndahet nga ajo që ndodh brenda. Ky është “bumerangu” perandorak, siç e përkufizonte shkrimtari nga Martinika, Aimé Césaire, tre çerek shekulli më parë kur analizoi se si kolonializmi evropian u rikthye në kontinent në formën e fashizmit. Ne tashmë e kemi parë “luftën kundër terrorit” duke u kthyer në këtë mënyrë: gjuha dhe logjika e saj u ripërdorën për shtypje të brendshme. “Partia Demokratike nuk është parti politike”, deklaroi verën e kaluar Stephen Miller, shefi i stafit të Trumpit. “Është një organizatë e brendshme ekstremiste”. Trupa të Gardës Kombëtare dërgohen në qytete të drejtuara nga demokratët, si forca pushtuese, duke përsëritur “sulmet” dikur të zbatuara në Afganistan apo Irak.

Duke e parë kështu, dashamirësia e Trumpit ndaj ambicieve ruse në Ukrainë nuk është aspak e mistershme. Që në vitin 2019, Rusia raportohet se propozoi rritjen e ndikimit amerikan në Venezuelë, në këmbim të tërheqjes së ShBA-së nga Ukraina. Kush e di nëse një marrëveshje e tillë është bërë. Ajo që është e sigurt është se një rend i ri botëror është duke lindur. Është një botë ku fuqitë gjithnjë e më autoritare përdorin forcën brutale për të nënshtruar fqinjët dhe për të vjedhur burimet e tyre. Ajo që dikur mund të tingëllonte si fantazi distopike, po ndërtohet para syve tanë. Pyetja është: a kemi mjete, vullnet dhe aftësi për të luftuar kundër? /Telegrafi/