Rëndësia e kujdesit ndaj kockave dhe nyjeve, flet ortopedi Qerim Kida në podcastin "Shëndeti në rend të parë"

Në episodin e 68-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, ortopedi Qerim Kida ka folur për rëndësinë e kujdesit ndaj kockave dhe nyjeve, si dhe ngriti shqetësimin për stilin modern të jetesës.
Ai thekson se përdorimi i tepruar i telefonit është kthyer në një ndër faktorët kryesorë të problemeve ortopedike.
- YouTube www.youtube.com
“Përdorimi i gjatë i telefonit manifestohet me dhimbje të qafës, marramendje dhe çrregullime të ekuilibrit”, tha Kida .
Sipas tij, pozicioni i gabuar i trupit gjatë përdorimit të telefonit rrit ndjeshëm ngarkesën mbi shtyllën kurrizore.
“Qafa normalisht peshon 4–5 kilogramë, por kur përkulemi, kjo peshë mund të arrijë deri në 20–30 kilogramë”, shpjegoi ai .
Ortopedi Kida theksoi se mungesa e aktivitetit fizik dhe jetesa sedentare po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e problemeve me nyjet dhe shtyllën kurrizore, sidomos tek të rinjtë.

Ai rekomandon që çdo individ të ketë të paktën një orë aktivitet fizik në ditë.
“Trupi duhet të ketë kohë për mobilitet, për forcim të muskujve dhe për ruajtjen e ekuilibrit mes peshës dhe masës muskulare”, theksoi Kida .
Një tjetër shqetësim që ai ngriti është mungesa e vitaminës D, e cila është thelbësore për shëndetin e kockave.
“Shumica e njerëzve funksionojnë me mungesë të vitaminës D, e cila është qenësore për metabolizmin e kockave”, tha ai .
Sa i përket trajtimit, Kida theksoi rolin kyç të fizioterapisë.
“Fizioterapia është hallka më e rëndësishme e mjekimit”, u shpreh ai, duke shtuar se suksesi i trajtimit shpesh varet nga kjo fazë.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë". /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com


















































