Në mbledhjen e fundit të Bordit Drejtues të Federatës së Futbollit të Maqedonisë janë miratuar disa vendime të rëndësishme, ndër të cilat spikat ndryshimi i sistemit të garave në futbollin vendor, njofton Telegrafi

Nga sezoni 2026/27, do të ketë një ristrukturim të ligave me qëllim që të rritet niveli i konkurrencës dhe cilësia e ekipeve. Kjo nismë vjen si reagim ndaj disa ngjarjeve që tronditën kampionatin, si tërheqja e Renovës para dy vitesh dhe përjashtimet e fundit të Voskës dhe Gostivarit.


Kështu, sezoni i ardhshëm (2025/26) do të jetë i fundit me 12 skuadra në elitën e futbollit – Liga e Parë. Nga sezoni pasues, vetëm 10 ekipet më të mira do të kenë të drejtë të garojnë në këtë rang, duke ngritur nivelin sportiv dhe menaxherial të klubeve.

Ndryshime do të ketë edhe në Ligën e Dytë, e cila nga 16 ekipe do të kalojë në 14, duke nisur nga i njëjti sezon.

FFM njoftoi gjithashtu se është krijuar një komision i posaçëm me emra të njohur si Agim Ibraimi, Igor Frangovski dhe Sasho Zdravevski, të cilët do të kryejnë një analizë të thelluar dhe do të japin rekomandimet e tyre për mënyrën e rënies nga liga dhe ngjitjes në rang më të lartë për sezonin 2025/26. /Telegrafi/

telegrafi sport app