Real Madridi është duke përgatitur një lëvizje për mbrojtësin e Crystal Palace, Marc Guehi, sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare.

Sipas ESPN, interesimi i madrilenëve është shtuar pasi transferimi i Guehit te Liverpooli dështoi të finalizohej në ditët e fundit të afatit kalimtar.


Qendërmbrojtësi 25-vjeçar ka qenë një nga figurat më të spikatura të Crystal Palace, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit dhe duke u bërë një element i rëndësishëm i Kombëtares së Anglisë.

Trajneri i Realit, Xabi Alonso, kërkon të përforcojë repartin defansivë, ku aktualisht opsionet kryesore janë Dean Huijsen, Antonio Rüdiger dhe Eder Militao.

Madridi e konsideron Guehin si një mundësi të favorshme në afatin kalimtar të verës së vitit të ardhshëm, pasi kontrata e tij me Crystal Palace skadon në vitin 2026.

Nga ana tjetër, edhe Liverpooli pritet të rikthehet me një ofertë të re për qendërmbrojtësin anglez në janar.

Kujtojmë se marrëveshja mes palëve ishte afër përfundimit në ditën e fundit të afatit kalimtar, por u anulua nga Crystal Palace, pasi trajneri Oliver Glasner kërcënoi me dorëheqje në rast se Guehi shitej. /Telegrafi/

telegrafi sport app