Sulmi ndaj Kupinës, reagon Retkoceri: Turpi më i madh i ndodhur ndonjëherë në Komunën e Prishtinës

Pas raportimeve se kryetari i Lidhjes për Prishtinën, Fehmi Kupina është sulmuar sot me shishe në objektin e Komunës së Prishtinës ka reaguar edhe asamblisti nga radhët e PDK-së, Leutrim Retkoceri.
Retkoceri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se sulmi tinëzar me shishe qelqi në kokë që iu bë kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, nga asamblistë të LDK-së, të shtyrë nga gjuha dhe sjellja arrogante e Përparim Ramës, është turpi më i madh i ndodhë ndonjëherë në Komunën e Prishtinës.
“Kryesuesi është figura që garanton funksionimin dhe mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, ndaj fakti që ai u bë shënjestër dhune brenda këtij institucioni e bën edhe më skandaloze ngjarjen. Kuvendi Komunal është institucioni më i lartë përfaqësues i qytetarëve, ku duhet të mbrohen interesat e tyre dhe të zhvillohet debati demokratik e kurrë dhuna”, ka shkruar Retkoceri.
Sipas tij, përgjegjësia bie mbi kryetarin Përparim Rama dhe partinë e tij “të cilët e kanë degraduar këtë institucion në dhunë e kaos”. /Telegrafi/

















































