Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha ka reaguar me anë të rrjeteve sociale pas ndodhive të fundit dhe komenteve të shumta drejtuar ekipit përfaqësues dhe lojtarëve pas humbjes nga Maqedonia e Veriut.

Kosova u mposht me rezultat të ngushtë 2-1 nga Maqedonia e Veriut në ndeshjen gjysmëfinale të “Play-Offit” në Ligën e Kombeve.


Kjo humbje ka dëshpëruar të gjithë, nga lojtarët e deri tek tifozët, ndërsa dëshpërimi i madh ka bërë që të ketë komente dhe kritika të ndryshme.

Valon Berisha, i cili ishte edhe kapiten i “Dardanëve” në këtë ndeshje ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të reaguar në lidhje me kritikat e fundit.

Ai ka ftuar gjithë popullin që të ketë unitet mes vete, pasi Kosovën e kemi të gjithë bashkë në zemër dhe sukseset vijnë pasi të jemi të bashkuar.

“Jeta është e mbushur me sfida, sprova të ndryshme si në futboll, si në jetën e përditshme, ashtu edhe është që të mësojmë prej tyre, mos të dorëzohemi kurrë dhe të vazhdojmë me ec përpara, gjithmonë Zoti i ka shpërblyer ata të fortit që s’janë dorëzuar”.

maqedonia kosova1 2

“Ne, pa ju (familjet, FFK, tifozët, Shqiptarët, kudo që janë që na mbështesin) s’jemi asgjë. Së bashku do punojmë të ju bëjmë krenar në të ardhmen. Shpërblimi do të vjen, ndoshta jo sot, jo nesër, jo mbas 1 viti apo 2, por puna do të shpërblehet kur nuk dorëzohemi e qëndrojmë bashkë”.

“Kosovën e kemi të gjithë në zemër, kështu që leni komentet negative, qëndroni me ne, si në humbje ashtu edhe në fitore. Kosova gjithmonë në zemër”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në Instagram.

Ndryshe, ky reagim vjen pas komenteve negative pas humbjes së Kosovës nga Maqedonia e Veriut, ku pre e tyre ishin më shumë lojtarët si Milot Rashica, Vedat Muriqi dhe Amir Rrahmani, të cilët munguan për arsye të ndryshme. /Telegrafi/

telegrafi sport app