Qytetarja nga Suhareka gjen 300 euro dhe i dorëzon në Polici

Një akt i ndershmërisë qytetare ka tërhequr vëmendjen e Policisë së Kosovës në Suharekë.
Më 6 mars 2026, qytetarja V. F. nga fshati Peqan, duke kaluar pranë një restoranti në Suharekë, ka gjetur 300 euro të gatshme në tokë. Ajo menjëherë ka raportuar rastin dhe i ka dorëzuar mjetet financiare në Stacionin Policor Suharekë rreth orës 20:15 të së njëjtës ditë.
Pas verifikimit të kamerave të sigurisë, Policia ka identifikuar personin që i kishte humbur paratë – një qytetar nga Suhareka – të cilit më pas iu janë dorëzuar mjetet e gjetura në stacion.
Në lidhje me rastin, Policia e Kosovës tha: “Falënderojmë qytetaren për veprimin e saj shembullor dhe inkurajojmë të gjithë qytetarët që të ndjekin këtë model të ndershmërisë dhe bashkëpunimit me institucionet”.
Policia gjithashtu rikujtoi se marrja e sendit të huaj, edhe nëse është gjetur në rrugë apo kudo tjetër, përbën vepër penale dhe është e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ky rast nënvizon rëndësinë e përgjegjësisë qytetare dhe bashkëpunimit me institucionet për ruajtjen e ligjit dhe rendit. /Telegrafi/




















































