Qytetari hero shpëton gruan që ra me veturë në liqenin e Livoçit

E plotësuar: Në paraditen e 06.04.2026, një vetaksident me lëndime të lehta trupore ka ndodhur te Liqeni i Livoçit në Gjilan, ku një veturë me targa vendore ka dalë nga rruga dhe ka rënë në ujë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani deklaroi se vetura kishte dalë nga rruga duke rënë në Liqenin e Livoçit.
Hashani bëri të ditur se nga hetimet e para në vendin e ngjarjes mësohet se deri te vetaksidenti të ketë ardhur atëherë kur drejtuesja e veturës humbi kontrollin mbi mjetin dhe përfundoi në liqen.
“Një person i cili ishte aty afër ka ofruar ndihmë dhe fatmirësisht janë raportuar vetëm lëndime të lehta për drejtuesen e mjetit”- tha ai më 06.04.2026.
Ai shtoi se njësitet e trafikut rajonal janë duke i hetuar rrethanat se si ka ardhur deri te vetaksidenti.
___________________________________________________________________________________________________
Një grua, e cila raportohet të jetë shtatzënë, u shpëtua mrekullisht pasi vetura në të cilën udhëtonte përfundoi në liqenin e Livoçit.
Sipas kamerave të sigurisë, banorët e zonës reaguan menjëherë.
Njëri prej tyre, me vetëmohim, hyri në ujë dhe arriti të nxirrte gruan nga makina.
Fatmirësisht, ajo nuk pësoi lëndime serioze.
Mediet lokale nga Gjilani kanë identifikuar qytetarin hero si Faton Tahiri, i cili ndërhyri për të shpëtuar jetën e gruas.
Telegrafi ka tentuar të marrë konfirmim nga Policia për rastin, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje zyrtare.




















































