LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët thonë se taksa ndaj Serbisë s’duhet hequr, ekonomistët kanë dyshime (Video)

Qytetarët thonë se taksa ndaj Serbisë s’duhet hequr, ekonomistët kanë dyshime (Video)

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se prodhuesit vendorë nuk janë të gatshëm që të mbulojnë hapësirën në treg pasi të lëmë prodhimet e Serbisë. Megjithatë, qytetarët i kërkojnë kryeministrit që të mos tërhiqet nga ky vendim.

Mustafë Kadrijaj, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se prodhuesit vendorë nuk janë të gatshëm të mbulojnë hapësirën në tregjet e Kosovës, që mund të lënë prodhuesit serbë.


“Kosova në asnjë rrethanë nuk është e gatshme për këso embargo, sepse ne si vend nuk i kemi krijuar më herët vetes kushte që të plotësojmë konsumin vendor me produkte. Ne kemi nevojë për import edhe pse jo në sasinë që kemi importuar deri tani”, tha Kadriaj për RTV Dukagjinin.

Këshilltari i Kryeministrit, Eroll Belegu, sqaron se me taksën, është paraparë që të goditet politika serbe, e jo edhe brendet ndërkombëtare që janë në këtë shtet.

“Ideja ka qenë që të mos goditen brendet ndërkombëtare, siç janë: ‘Coca Cola’ apo ‘Rauch’. Ne nuk kemi dashur që këtë çmim ta paguajnë edhe brendet ndërkombëtare të cilat kanë kompanitë e veta në Serbi”, tha  Belegu.

Megjithatë qytetarët e shohin si një veprim të mirë, me këtë rast ftojnë kryeministrin Haradinaj të mos e heqë taksën.

“Mirë ka vepru Ramushi, hiç nuk duhet lëshuar pe”, thotë qytetari Nazmi Gashi.

“Vendimi është shumë i mirë, bile i vonuar. Nuk duhet të hiqet kurrë”, tha qytetari tjetër Mustafë Deda.

“Taksa është dashur shumë herët të vendosur. Serbisë duhet t’i tregohen “dhëmbët” se Kosova është shtet i pavarur”, tha qytetari Selver Lenjani.

Ngritja e taksës nga 10 në 100%, ka bërë që Bashkimi Evropian të kërkoi të hiqet kjo taksë./RTV Dukagjini/Telegrafi/