Qytetarët nga Kumanova që kanë punuar në Irak e Afganistan dorëzuan dëshmi për tatim në DAP

Qytetarët nga Kumanova që kanë punuar në Irak dhe Afganistan, dhe të cilët kanë marrë vendime se duhet të paguajnë tatim për vitin 2020, u takuan me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova.
Në takim mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Zgjidhje apo ndonjë marrëveshje nuk u arrit.
Ata që ishin të pranishëm në këtë takim shprehen disi të revoltuar, pasi sipas tyre takimi i ngjante një ore prezantimi për punën e DAP-it. Ata shtojnë se kanë dorëzuar shumë dëshmi se nuk duhet ta paguajnë tatimin, pasi ai tashmë është paguar nga kompanitë nga të cilat kanë qenë të angazhuar, në vendet nga të cilat vijnë këto kompani.
Ndërkohë, ditët e fundit personat që kanë punuar jashtë vendit dhe që kanë marrë këto vendime kanë protestuar, kryesisht në Kumanovë dhe Tetovë, kundër vendimeve për pagesën e tatimit.
Siç thonë ata, për këtë problem do të kërkojnë edhe ndihmë dhe konsultime ndërkombëtare.
“Nuk arritëm të gjejmë zgjidhje. Sot u ftuam këtu praktikisht për të pasur një prezantim se si punon DAP-i, si i zbaton ligjet; në fakt ishte një takim seminarik, ku na mësonin se si duhet të veprojmë me ligjet dhe me këto vendime. Ne sollëm dëshmi, ata thonë se i kanë, po i shqyrtojnë, tashmë një muaj po i shqyrtojnë. Nuk kemi asnjë përgjigje”, tha Zhikica Milanov.




















































