Kohë më parë u tha se Polica e Pejës është lajmëruar nga banorët e ndërtesës në fjalë se po zhvillohej një aktivitet prej narkomanësh. E, me të hetuar rastin, doli se nuk bëhet fjalë për narkomanë, por për homoseksualë.

KosovaPress ka kontaktuar me zëdhënësin e Policë se Pejës, Xhevat Ibraj, për të cilin lajmi është shpifje. Sipas tij, diçka e tillë nuk është raportuar në stacionin policor në Pejë dhe se PK nuk ka hasur në ndonjë rast të tillë.


“Nuk ka ndodhur në qytetin e Pejës. Ne nuk jemi të informuar për këtë rast; as nuk kemi parë e as dëgjuar. Janë shpifje të personave të caktuar”, ka thënë Ibraj.

Në Komunën e Pejës thonë se kanë punuar shumë në hulumtimin e këtij rasti, por se nuk ka asgjë të vërtetë këtu.

“Pse ka ndodhur kjo, kush e bëri këtë, kush qëndron prapa gjithë kësaj dhe pse u dëmtuan kaq shumë emra artistësh, biznesmenësh dhe personalitete të qytetit, unë nuk e di”, thotë zëdhënësi Engelbert Zefaj.

Nëse diçka e tillë do të ishte i vërtetë, Zefaj thotë se kjo do të paraqiste shqetësim, meqë bëhet fjalë për fytyra shumë të njohura të qytetit.

“Personalisht e konsideroj si diçka degjeneruese”, thotë ai.

Të shqetësuar për ngjarjet e fundit në Pejë, mbesin edhe qytetarët, që e shohin këtë lajm si informatë që dëmton imazhin e Pejës.

Gylymsere Gorani, qytetare e Pejës, thotë se banorët i njohin mjaftë mirë personat për të cilët po flitet.

“Janë vetëm shpifje. Peja ka shumë intriga, i rrisin edhe... Neve na ka shqetësua shumë, por shkurt e shqip këto shpifje janë”, ka thënë ajo, duke shtuar se thashethemet në Pejë shqetësojnë, pasi qyteti është i vogël.

Ali Kuçi, një tjetër qytetar, thotë se Peja njihet për gjëra me vlerë e njerëz intelektual e jo histori të tilla.

Qytetarët ndjehen të shqetësuar, duke pranuar se mentaliteti në qytetin e Pejës nuk është i tillë për të pranuar lirshëm persona të tillë në shoqëri. Për ta, të thënat e fundit kanë zgjuar kureshtjen e secilit qytetar, por edhe kanë nxitur shqetësim.

Enver Kastrati thotë se në Pejë nuk kanë ndodhur asnjëherë raste të tilla, andaj kjo është e papranueshme për shoqërinë.

“Është rast shumë i rëndë, shumë i keq për imazh të Pejës, për rini, për familje...”, ka thënë ai.

Por, ka edhe të tillë që mendojnë se pa pasur diçka në tërë këtë muhabet, nuk kishin dalë fjalët e tilla.

Disa banorë, pa dashur të flasin para kamerave e pa e dashur të thonë emrat e tyre, theksojnë se duhet verifikuar mirë ky rast, meqë është e pamundur të krijohen skenarë të tillë për persona të caktuar, pa pasur ndonjë dyshim aty.

Për qytetin e Pejës lajmet për orgji homoseksuales ishin mjaftë tronditëse, ndoshta pse është një vend i vogël që akoma nuk pranon ndryshime të tilla në shoqëri. Për zyrtarë të institucioneve të kësaj komune, derisa diçka nuk është e vetëtuar, atëherë të gjitha këto mbesin shpifje. /KP/