Agon Dobruna, zëvendësministër i Financave, duke folur për premtimin e Lëvizjes Vetëvendosje për punësimin e 400 inspektorëve të Punës, fajtorin e gjen tek Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), që sipas tij, ka anuluar konkursin e shpallur në 2024 për rekrutimin e 60 inspektorëve të Punës.

Sipas zëvendësministrit Dobruna, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i ka gjetur 22 inspektorë të Punës në fund të vitit 2021, ndërsa deri më tani janë 62 inspektorë.


“Në 2023 i kemi rekrutu edhe 40 [inspektorë] shtesë, e në 2024 kemi fillu procedurën e rekrutimit edhe për 60 të tjerë, mirëpo duheni me pas parasysh që ndonjëherë edhe për arsye, mos të them banale, KPMShCK-ja anulon konkurset gjithandej edhe me këtë rast ka vepru njëjtë edhe me Inspektoratin Qendror të Punës ka anulu konkursin. Tash jemi prapë në fazë të rekrutimit për 60 e kemi përsërit konkursin”, ka deklaruar Dobruna, në emisionin "Kallxo Përnime".

Brikenë Hoxha, drejtoreshë në Iniciativa Kosovare për Stabilitet, tha se prej vitit 2010 merren me numrin e inspektorëve dhe detyrat e këtyre inspektorëve.

“Unë mendoj që në Kosovë është problemi te cilësia e inspektorëve, jo te numri i inspektorëve edhe është se sa, cila është marrëdhënia e Qeverisë me bizneset, cilat janë marrëveshjet edhe sa inspektohen. Kemi pasë shumë informata vitin e kalum që është thënë që mos mu kërku inspektimi i riskut”, tha Hoxha.

Hoxha tha se Inspektorati i Punës kur shkon në inspektim, kryesisht dokumentin e parë që e kërkon është vlerësimi i riskut.

Pas kësaj deklarate të Hoxhës, ka reaguar Dobruna duke thënë se sot po dëgjon që nuk kërkohet vlerësimi i riskut.

“Nuk është na që s’kemi raport me qytetarin si qeverisje, kemi bile ma shumë të afërt se sa që mendoni ju. Ne kemi mbi 12,000 subjekte të kontrolluar në vitin 2024 që po i lëmë pas. Prej 12,000, janë subjekte që inspektorët tanë kanë kontrolluar. Në plotë aksione kam asistu edhe personalisht bashkë me kryeinspektorin” – ka thënë Dobruna.

Dobruna shtoi se në vitin 2024 janë afërsisht 2 milionë euro gjoba që i ka shqiptuar Inspektorati i Punës dhe sipas tij, ata kanë ndryshuar Ligjin për Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

“Më parë subjektet kanë pasë gjashtë muaj punë provuese, nuk kanë pasë detyrim me deklaru punëtorin, ndërsa tash me Ligjin e ri për ATK0-në, është së paku 24 orë para [të deklarohet]. Edhe kjo na ka ndihmu neve në luftim të formalitetit”, tha Dobruna.

Dobruna deklaroi po ashtu se Inspektorati Qendror i Punës po digjitalizohet.

Inspektorati i Punës e ka rritur numrin e inspektimeve prej 6,000 inspektimeve në 2022, kurse 12,000 inspektime në 2024.

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, në vitin 2022 kanë vdekur 15 punëtorë në vendin e punës, në vitin 2023 kanë vdekur 11 punëtorë dhe në 2024 janë regjistruar 7 vdekje në vendin e punës.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN ka publikuar disa raporte për të drejtat e punëtorëve dhe trajtimit të rasteve të tyre në vendin e punës. /Kallxo.com/