Punëtori i ndërtimtarisë humb jetën në vendin e punës në Skenderaj, anulohet programi i “Mërgata Fest”

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në qytetin e Skenderajt, ku një punëtor ndërtimtarie dyshohet se ka humbur jetën gjatë kohës sa ishte në vendin e punës.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.
Përmes një reagimi publik ka shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për familjen e viktimës, duke bërë të ditur se si shenjë respekti është anuluar programi i sotëm i festivalit “Mërgata Fest”.
“Duke besuar në mirëkuptimin e secilit përballë këtij rasti të dhimbshëm, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Veliu, shokëve dhe dashamirëve,” ka shkruar Nura në rrjetet sociale.
Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e plota të kësaj tragjedie, ndërsa autoritetet përkatëse pritet të nisin hetimet për të zbardhur shkaktarët e vdekjes së punëtorit.










































