Për nder të Ditës së Evropës, Filatelia e Postës së Kosovës nesër lëshon në qarkullim të rregullt postar emisionin e pullave postare të titulluar “Evropa 2018 - Urat”.

Urat e punuara me blloqe guri me harqe, që shfaqen në këto pulla postare, janë ndërtime arkitekturore të Kosovës që i përkasin shek. XVI-XX.


Në pullën me vlerë nominale 2 euro është paraqitur Ura në Grykën e Rugovës e ndërtuar gjatë Mesjetës, mbi Lumëbardh që kalon në kanionin e bjeshkëve piktoreske të Pejës.

Ndërkaq, pulla me vlerë nominale 1 euro bartë imazhin e Urës së Vjetër të Gurit në qendrën e qytetit të Prizrenit, e ndërtuar mbi shtratin e Lumbardhit në fund të shekullit XV ose në fillim të shekullit XVI.

unnamed 23 1

Të dy këto ura janë ndër destinacionet më atraktive të turistëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Ndërtimet karakteristike të këtyre urave u punuan nga mjeshtër të kohës të ndihmuar edhe nga banorët vendas, me material të po atij lokaliteti.

Për madhështinë e tyre me vlerat kulturore e arkitektonike që bartin, ato sot janë në listën e trashëgimisë kulturore të Shtetit të Kosovës.

Ndryshe, Filatelia e Kosovës çdo vit emeton pulla postare me pamje të trashëgimisë kulturore të vendit tonë me qëllim të promovimit të saj./kp/