Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Çfarë duhet bërë për të shkundur iluzionet mbi ndërhyrjen perëndimore? Kjo nuk është një pyetje që synon të shmangë barbarinë që po shkakton regjimi teokratik i Iranit. Për shkak se regjimi ka shkëputur lidhjen e vendit me internetin, faktet janë të vështira për t’u verifikuar, por organizata e respektuar Human Rights Activists in Iran ka konfirmuar se janë vrarë 544 vetë dhe janë arrestuar mbi 10 mijë - shifra që ndoshta janë dukshëm të nënvlerësuara.


Këtu kemi të bëjmë me një regjim që konsolidoi pushtetin në vitet ‘80 të shekullit XX duke masakruar të majtët - me ndihmën, duhet theksuar, të MI6-ës dhe CIA-s, të cilat i furnizuan me lista të agjentëve të supozuar sovjetikë. Sot, aktivistët sindikalë arrestohen dhe torturohen, ndërsa aktivistet për të drejtat e grave kalben në burgje. Katastrofa ekonomike e shkaktuar nga sanksionet mund të ketë ndihmuar në shpërthimin e protestave të fundit, por miliona iranianë janë të lodhur nga jeta nën një regjim fundamentalist - siç dëshmohet nga sondazhet që tregojnë rënien e besimit fetar dhe një kundërshtim të gjerë ndaj hixhabit të detyrueshëm.

Por, ata që besojnë se liria do të vijë mbi kurrizin e bombave perëndimore, duken të paaftë për të mësuar nga katastrofat që kanë shënuar këtë shekull. Donald Trumpi vazhdon të kërcënojë se do të bombardojë Iranin, i shtyrë nga Reza Pahlavi - djali i shahut të përmbysur. Avantazhi i vetëm është se Trumpi - ndryshe nga paraardhësit e tij - zakonisht nuk përpiqet të maskojë interesat e veta me ide të mëdha morale. Ai nxit puç shteti në vendin e vet, dhe pas sulmit të fundit ndaj Venezuelës, e bëri të qartë se nafta ishte shqetësimi i tij kryesor. Ai formalisht ka përmendur protestat në Iran. Por, që në vitin 1980, ai kishte deklaruar publikisht mbështetjen për ndërhyrjen në Iran, duke thënë se “tani do të ishim një komb i pasur me naftë” nëse ShBA-ja do ta kishte bërë këtë. Po kështu, vrasja e Qassem Suleimanit dhe sulmi mbi uzinën bërthamore Fordou në një moment tensioni ekstrem rajonal, vështirë se ishin për të mirën e iranianëve të zakonshëm.

Dhe, shumë kohë përpara Trumpit, ShBA-ja nuk e kishte asnjë problem të mbështeste tiraninë në Lindjen e Mesme, si Arabia Saudite - që pret kokën e disidentëve dhe që raportohet se ka kryer krime lufte në Jemen, si për shembull shpërthimi i autobusit shkollor plot me fëmijë, me bomba amerikane. Strategjia e re e sigurisë kombëtare e Trumpit, e publikuar së fundmi, heq dorë edhe nga pretendimi për mbështetje të demokracisë, duke u zotuar se do të braktisë “eksperimentin e gabuar” të “qortimit” të autokracive të Gjirit për t’u larguar nga traditat dhe format e tyre historike të qeverisjes. Dhe, për më tepër, ndihma për gjenocidin izraelit duhet të ishte më se e mjaftueshme për të zhdukur çdo iluzion të mbetur për motivimet e fuqisë amerikane.

Makthi i Iranit nisi me ndërhyrjen perëndimore. Ishin Britania dhe Shtetet e Bashkuara ato që organizuan puçin kundër qeverisë progresiste të zgjedhur në mënyrë demokratike të Mohammad Mosaddeghut në vitin 1953. Ky akt u justifikua nga sekretari i atëhershëm amerikan i Shtetit, John Foster Dulles, mbi bazën se “bota e lirë” do të mbetej “pa pasuritë e mëdha që përfaqësonin prodhimi dhe rezervat e naftës iraniane”. Shahu i ri i tha një agjenti të CIA-s: “Ia kam borxh fronin Zotit, popullit tim, ushtrisë sime dhe juve”. Revolucioni iranian i vitit 1979 lindi nga brutaliteti i kësaj diktature.

Dhe, çfarë ndodhi me ndërhyrjeve perëndimore në botën myslimane? Katastrofa e luftës në Irak është e njohur, por shumë pak vëmendje i është kushtuar rolit të politikanëve të mërguar irakianë që u kthyen në vend. Ata kërkuan të vendosnin legjitimitetin përmes sektarizmit fetar - çka ndihmoi në shpërthimin e masakrave shkatërrimtare midis militantëve shiitë dhe sunitë që copëtuan Irakun.

Në Afganistan, gjendja e grave nën sundimin taleban u përdor si justifikim për ndërhyrjen perëndimore: por, pas dy dekadash pushtimi të përgjakshëm dhe kthimit të talebanëve në pushtet, makthi i grave është më i keq se kurrë. Në Libi, preteksti ishte mbrojtja e protestuesve nga shtypja e dhunshme e regjimit. Pasoi një luftë e përgjakshme civile, që u shfrytëzua nga xhihadistët, dhe 15 vjet më vonë vendi mbetet pa një autoritet qendror, teksa dy qeveri rivale luftojnë për pushtet.

Irani është shumë më i madh se gjithë këta shembuj, dhe shumë më i larmishëm në aspektin etnik dhe fetar. Popullsia e tij është tri herë e gjysmë më e madhe se ajo e Irakut në kohën e pushtimit. Mozaiku i tij përfshin persianë, azerë, kurdë, lurë, arabë dhe turkmenë. Nuk ka dyshim se shumica dërrmuese e popullit iranian ka humbur durimin me teokracinë e korruptuar që i sundon. Por, ky regjim ka një bazë shumë më të madhe dhe të ngulitur mbështetjeje sesa në shembujt e mëparshëm. Miliona vetë ende votojnë për kandidatët ultra-konservatorë.

Ndryshe nga protestat e mëparshme, kemi parë sulme ndaj vendeve të shenjta fetare. Kjo vjen qartësisht nga zemërimi që ka shpërthyer midis disa iranianëve për shkak të jetës nën trysninë e dogmës së detyruar fetare. Por, gjithashtu, bën me dije për llojin e ndarjeve që mund të shpërthejnë, sidomos nëse Pahlavi vjen në pushtet, duke pasur parasysh pozicionet shoviniste dhe ultranacionaliste të shumë prej këshilltarëve të tij kryesorë.

Dhe, Izraeli po pret. Ish-sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, bëri një cicërimë: “Gëzuar Vitin e Ri, çdo iraniani në rrugë. Dhe, gjithashtu çdo agjenti të Mossad-it që ecën pranë tyre”. Një ministër izraelit është mburrur se “njerëzit tanë po punojnë atje tani”. Kemi parë se si Izraeli është përpjekur të minojë Sirinë pas Assadit, si përmes sulmeve të vazhdueshme, ashtu edhe përmes nxitjes së copëtimit të vendit. Është e qartë se Izraeli beson se forca e tij relative në Lindjen e Mesme sigurohet më mirë përmes fqinjëve të dobët dhe të përçarë sesa përmes një Irani vërtet të lirë dhe demokratik.

Duke pasur parasysh precedentët kaq të llahtarshëm, do të ishte marrëzi të besohej se, pavarësisht të gjitha këtyre ndërhyrjeve të dështuara perëndimore, ajo që më në fund do të ketë sukses do të jetë diçka nën udhëheqjen e Donald Trump. E vërteta duhet të jetë e qartë - ShBA-ja nuk udhëhiqet nga interesat më të mira të iranianëve. Do të ishte tragjedi nëse ky mësim - i shkruar me gjakun e irakianëve, afganëve dhe libianëve - do të shpërfillet sërish. /Telegrafi/