Gjatë ditës së shtunë është zhvilluar një protestë e madhe studentore në Beograd.

Sipas mediave të huaja, mbledhja e qytetarëve filloi disa orë më parë në lokacione të ndryshme në Beograd.


Po sipas tyre, i gjithë qyteti ishte i bllokuar.

Rreth orës 11:30 ka ndodhur një incident kur një makinë ka përplasur protestuesit që po shkonin drejt qendrës së qytetit.

Tre persona kanë mbetur të lënduar dhe drejtuesi i mjetit është arrestuar.

Mijëra beogradas, nga dje deri pas mesnate, pritën studentët që po mbërrinin në kryeqytet nga e gjithë vendi, duke ecur, duke vrapuar në një maratonë stafetë apo çiklizëm, me ovacione, fishekzjarre dhe përqafime.

Në kulmin e tubimit, në të gjitha lokacionet e qytetit, numri i përgjithshëm i njerëzve të mbledhur nga të gjitha anët e Serbisë dhe të atyre nga Beogradi që i mirëpritën, llogaritet të jetë me mijëra.

Ndërkohë ishte raportuar për jë përleshje pranë sheshit “Nikola Pashiq” ku një grup burrash rrahën një të ri.

Për të mësuar më shumë, Telegrafi, do ju ka mbajtur të informuar, minutë pas minute.

15/03/2025 23:25-Moment i çuditshëm nga protesta në Beograd – rruga e mbushur me njerëz u zbraz në pak sekonda

15/03/2025 22:41-Vuçiq deklarohet rreth protestës masive në Beograd, pas përfundimit të saj

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në Serbi, përkatësisht protestën në Beograd. Ai në fillim të fjalës së tij ka treguar se është mbajtur një protestë e madhe dhe nuk ka të lënduar. "Ka disa dhjetëra persona të mbetur në gjendje të dehur që po përpiqen të sulmojnë policët dhe të gjithë të tjerët në Parkun e Pionierëve. Fillimisht dëshiroj të shpreh kënaqësinë time që në emër të të gjithë qytetarëve të Serbisë u mbajt një protestë e madhe, me energji të jashtëzakonshme dhe negative dhe zemërim dhe mllef që nuk u shpreh në dëmtime serioze ndaj autoriteteve", citohet të ketë thënë ai. Sipas tij, “gjithsej 44 persona janë në Qendrën Emergjente, 11 në Qendrën Spitalore Klinike Zvezdara, gjithsej 56 persona, askush nuk është i lënduar rëndë”. Ai ka shtuar se ashkush nuk është në rrezik për jetën. /Telegrafi/

15/03/2025 22:03-Protestat masive në Beograd kanë përfunduar, së paku "zyrtarisht"

Protestat e mëdha qytetare nisën zyrtarisht në kryeqytetin serb në orën 16:00 dhe dhjetëra mijëra qytetarë u mblodhën para Kuvendit të Serbisë. Protestat dhe grumbullimi i qytetarëve në Beograd, të cilat filluan në orët e hershme të mëngjesit, zyrtarisht kanë përfunduar dhe qytetarë të shumtë dalëngadalë po shpërndahen nga sheshi Slavija dhe Kuvendi i Serbisë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi. Studentë nga e gjithë Serbia u mblodhën deri në orën 13:00 në katër lokacione në Beograd. Nga këto lokacione, në orën 13 janë nisur drejt Kuvendit të Serbisë, ku janë mbajtur protestat më të mëdha. Protestat nisën zyrtarisht në orën 16:00 dhe qendra e Beogradit u bllokua plotësisht. Rreth orës 20:00 qytetarët mbajtën 15 minuta heshtje, e cila u ndërpre për rrethana ende të paqarta. Më pas studentët hoqën jelekët dhe njoftuan se protestat do të përfundonin që nga ai moment. Incidentet janë regjistruar në sheshin Nikola Pashiq, para Kuvendit të Serbisë, ndërsa mediat raportojnë se një grup i caktuar nga Parku i Pionerit ka gjuajtur me shishe dhe gurë ndaj studentëve. Megjithatë, përkundër këtij incidenti, situata nuk ka përshkallëzuar. Studentët janë tërhequr në universitetet e tyre, xhandarmëria ka ulur mburojat dhe qytetarët pritet të largohen nga rrugët. /Telegrafi/

15/03/2025 21:56-Studentët në bllokadë: Protesta jonë po përfundon

"Protesta e studentëve po përfundon. Rojet tona i kanë hequr jelekët. U bëjmë thirrje qytetarëve që të tërhiqen", shkruan organizatorët në rrjetet sociale. Grupi i quajtur "Studentët 2.0", që i kundërshton ata, raportohet të ketë gjuajtur me gurë dhe shishe në drejtim të tyre.

15/03/2025 21:46-MPB-ja kërkon që të ndalen të gjitha sulmet dhe provokimet ndaj policisë

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se ka bërë thirrjen e fundit për ndalimin e menjëhershëm të të gjitha sulmeve dhe provokimeve ndaj punonjësve të policisë, në të kundërtën tha se policia do të ndërhyjë dhe do t'i mbrojë efektivët e saj konform ligjit. Në deklaratë thuhet se disa incidente dhe përleshje kanë ndodhur në disa lokacione në qendër të Beogradit "midis disa pjesëmarrësve në protestë, të cilët sulmuan vazhdimisht policët, duke u përpjekur t'i pengojnë ata në kryerjen e detyrës".

15/03/2025 21:26-Një i ri është goditur me shishe në kokë

Një i ri është goditur me shishe në kokë. Ai kishte gjak në duar dhe lëndime në kokë, për këtë arsye ka ndërhyrë ambulanca.

15/03/2025 21:14-Një përleshje shpërtheu pranë sheshit “Nikola Pashiq” ku një grup burrash rrahën një të ri

15/03/2025 20:53-Policia në Beograd është urdhëruar të lëvizë drejt qendrës së qytetit

Policia në Beograd është urdhëruar të lëvizë drejt qendrës së qytetit, edhe pse ende ka mijëra njerëz në rrugë. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur incidente apo konflikte mes policisë dhe protestuesve. Vetë pjesëmarrësit në protestë brohorasin "Arresto Vuçiqin" ndërsa policia kalon pranë.

15/03/2025 20:38-Në disa lokacione në Beograd qytetarët janë ende në rrugë

Studentët janë tërhequr në fakultetet e tyre dhe në disa lokacione në Beograd qytetarët janë ende në rrugë. Përveç sulmit ndaj studentëve në Parkun Pioneer, nuk pati incidente të tjera të mëdha apo përplasje mes demonstruesve dhe policisë. Protesta duhej të zgjaste deri në orën 21:00, por përfundoi pas sulmit ndaj studentëve. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të flasë në orën 22:00.

15/03/2025 20:26-Nuk munguan edhe mesazhet kundër Milorad Dodik

Mes mesazheve kundër regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, nuk munguan edhe mesazhet kundër Milorad Dodik, presidentit të entitetit Republika Srpska të Bosnjë dhe Hercegovinës. Në një nga pankartat shkruhej "Dodik nuk është Republika Srpska, Vuçiq nuk është Serbia".

15/03/2025 20:18-Situata në rrugët e Beogradit pak çaste më parë

15/03/2025 20:12-Kështu dukej sheshi Slavija gjatë heshtjes 15-minutëshe për 15 viktimat e shembjes së kulmit në stacionin hekurudhor të Novi Sadit

15/03/2025 20:08-Vlerësimet fillestare - 500,000 njerëz në protestë

"Si dikush që mora pjesë më 5 tetor, më duhet të them se këtu ka më shumë njerëz dhe sipas bindjes sime, më shumë se 500.000 njerëz janë në protestë...", ka thënë Bozho Preleviq, avokat dhe ish-ministër i Brendshëm të Republikës së Serbisë.

15/03/2025 20:01-Sheshi Sllavija nëpërmjet fotografive

Qindra mijëra njerëz raportohet të jenë mbledhur në Sheshin Sllavija në qendër të Beogradit, mbrëmjen e së shtunës. Kërkesë kryesore e protestuesve është përgjegjësia politike dhe penale për tragjedinë në Novi Sad, ku nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të qytetit humbën jetën 15 persona, nëntorin e kaluar.

15/03/2025 19:10-Qytetarët e mbledhur para Kuvendit të Serbisë po lëvizin drejt sheshit ku po zhvillohet pjesa kryesore e protestës

Qytetarët e mbledhur para Kuvendit të Serbisë tashmë po lëvizin drejt sheshit Slavija, ku po zhvillohet pjesa kryesore e protestës së sotme.

15/03/2025 19:07-Vuçiq "lajmërohet" përmes Instagramit

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka bërë një postim në Instagram ndërsa në Beograd po zhvillohet një protestë e madhe kundër tij. "Rroftë Serbia!", ka shkruar ai, teksa shihet në një fotografi, i mbështjellë me flamurin serb.

15/03/2025 18:57-Pamje nga rrugët e Beogradit

15/03/2025 18:51-Kjo pamje tregon se sa masive është protesta në Beograd

15/03/2025 18:41-Deklarohet policia në Serbi

Sipas vlerësimeve të policisë në Serbi, në tubimet e sotme të pikut në të gjitha lokacionet në Beograd, numri i pjesëmarrësve në tubim ka qenë rreth 107.000.

15/03/2025 18:20-Më shumë foto nga protestat në Beograd, të cilat aktualisht janë në kulmin e tyre

15/03/2025 18:16-Një incident në Beograd teksa studentët po mbanin fjalimet

Në sheshin Sllavija të Beogradit, studentët kanë nisur t’i mbajnë fjalimet. “Shikojeni sa shumë jemi këtu. Le të zgjojë zëri ynë Serbinë”, ka thënë një student para turmës. Një numër i madh njerëzish janë ende para ndërtesës së Parlamentit të Serbisë dhe në rrugët në afërsi. Gjatë fjalës së njërës prej studenteve ka ndodhur një incident i vogël, ku një person ka tentuar t'i hiqte mikrofonin. Mirëpo organizatorët e zgjidhën situatën shumë shpejt dhe gruaja që tentoi t'i hiqte mikrofonin studentit u hoq.

15/03/2025 17:28-“Aty nuk mund të bjerë as gjilpëra” – a është kjo protesta më e madhe në historinë e Serbisë?

Të shtunën, më 15 mars, në Beograd po zhvillohen protesta masive, ku pritet të marrin pjesë qindra mijëra njerëz. Madje, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, disa organizatorë kanë paralajmëruar se numri do të kalojë një milion. Për të lexuar lajmin, klikoni KËTU.

15/03/2025 17:15-Gazetari serb: Disa njësi policore refuzuan të rrahin qytetarët

Gazetari Vuk Cvijiq, deklaroi se nga policia vinin informacione se njësi të caktuara kishin refuzuar të rrihnin qytetarët. Sipas Index.hr, zakonisht në një tubim të tillë nxirret së pari xhandarmëria. Dhe ka informacione se disa njësi policore kanë refuzuar të rrahin qytetarët, apo se nuk kanë dashur të dalin në rrugë për të mos rrahur qytetarët. “Natyrisht se diçka po ndodh në polici”, tha Cvijiq në programin N1, duke komentuar ndryshimet e fundit të brendshme në funksionimin e policisë.

15/03/2025 16:59-Vuçiq i bindur se do ta përballojnë gjithë presionin dhe sulmet e ditës së sotme

Në prag të protestës në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka vëzhguar nga afër punimet e një kantieri ndërtimi EXPO dhe ka thënë që është i bindur se “ do të ruhen paqja dhe stabiliteti”. “Jam i bindur që sot do ta përballojmë gjithë presionin, sulmet dhe do të ruajmë paqen dhe stabilitetin. Dhe më pas do të fitojmë në të ardhmen”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram. “Njerëzit kanë ëndrra të ndryshme. Disa ëndërrojnë për të shkatërruar diçka apo dikë, disa ëndërrojnë të ndërtojnë. Besoj se shumica e shtetasve serbë duan të ndërtojnë një Serbi më të mirë dhe më të suksesshme”, ka thënë Vuçiq të shtunën.

15/03/2025 16:51-Qytetarët përshëndesin motoçiklistët

15/03/2025 16:50-Punonjësit e RTS janë zhvendosur jashtë ndërtesës kryesore të shërbimit publik?

Sipas njoftimeve të mediave, punonjësit e Radio Televizionit të Serbisë janë zhvendosur jashtë ndërtesës kryesore të shërbimit publik të vendit. Pavarësisht letrës së marrë nga punonjësit e RTS ku thuhej se “programi do të vazhdojë si zakonisht”, ata u zhvendosën në një godinë anësore, ndërsa policia ndodhet në dy godinat kryesore.

15/03/2025 16:48-Përveç qytetarëve të shumtë, para Kuvendit të Serbisë ka edhe një numër të madh të pjesëtarëve të xhandarmërisë

Përveç qytetarëve të shumtë, para Kuvendit të Serbisë ka edhe një numër të madh të pjesëtarëve të xhandarmërisë, forcave të tjera policore, si dhe persona të paidentifikuar të veshur me një lloj uniforme zyrtare. Mediat në Serbi thonë se nuk kanë shenja zyrtare, por se ndodhen pranë forcave zyrtare të policisë.

15/03/2025 16:36-Në protestë është parë edhe ish-presidenti dhe kryeministri Vojislav Koshtunica

15/03/2025 16:29-Kështu duket nga ajri protesta e madhe në Beograd

15/03/2025 16:15-Në protesta edhe njëri nga liderët e opozitës, Millosh Jovanoviq

Në tubimin e sotëm në Beograd, për të cilin studentët vazhdimisht kanë theksuar se është jo i dhunshëm dhe apolitik, është parë edhe njëri nga liderët e opozitës, Millosh Jovanoviq.

15/03/2025 16:07-Pishtarë të ndezur në tubimin e protestës

15/03/2025 16:03-“Kali i Trojës” në qendër të Beogradit

Studentët e Fakultetit të Arteve të Bukura dhe Fakultetit të Shkencave Politike sollën së bashku një figurë të Kalit të Trojës me rrota - 3.5 metra të gjatë - në një protestë në qendër të Beogradit.

15/03/2025 15:50-Protesta në mbështetje të studentëve serbë në Cyrih

Qytetarët serbë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër janë mbledhur sot në Cyrih për të mbështetur studentët dhe protestat e tyre në Beograd.

15/03/2025 15:34-Edhe The Guardian shkruan për "tubimin antiqeveritar që ka të ngjarë të jetë më i madhi i mbajtur ndonjëherë në vendin ballkanik"

Dhjetëra mijëra njerëz nga e gjithë Serbia i janë bashkuar një mitingu kundër korrupsionit në Beograd, në atë që konsiderohet si kulmi i protestave disamujore që kanë tronditur kontrollin e presidentit autokratik të vendit, Aleksandar Vuçiq. Kështu shkruan mediumi prestigjioz britanik, duke i bërë jehonë protestës. Sipas mediumit në fjalë, zhurmat e bilbilave dhe vuvuzelave bënë jehonë në të gjithë kryeqytetin serb, i cili është në gatishmëri të lartë që nga shpallja e tubimit. Sipas tij, tubimi antiqeveritar ka të ngjarë të jetë më i madhi i mbajtur ndonjëherë në vendin ballkanik. Një protestues, Milenko Kovaçeviq, tha: “Unë pres që kjo të lëkundë autoritetin e tij dhe që Vuçiq të kuptojë se njerëzit nuk janë më me të”. Policia tha se arrestoi një burrë që përplasi makinën e tij me protestuesit në një periferi të Beogradit, duke plagosur tre persona. Tensionet po rriteshin përpara demonstratës, pasi mbështetësit e presidentit filluan të ngrenë një kamp në një park përpara pallatit presidencial. Në fillim të kësaj jave, Vuçiq paralajmëroi se oficerët e sigurisë do të përdorin forcën kundër njerëzve në tubim.

15/03/2025 15:27-Eurodeputeti Picula kritikon ndalimin e hyrjes së gazetarëve në Serbi

Eurodeputeti kroat Tonino Picula, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, kritikoi autoritetet serbe pasi një ditë më parë disa ekipe gazetareske, përfshirë ato kroate, u ndaluan në kufi me arsyetimin se paraqesin rrezik sigurie përpara protestave të mëdha kundër qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiq. Picula e karakterizoi incidentin si dëshmi të sjelljes jodemokratike të autoriteteve serbe, duke paralajmëruar se masa të tilla nuk mund të pengojnë përhapjen e së vërtetës. "Gazetarët mund të ndalohen në kufi, por e vërteta vështirë se mund të ndalet në kufi. Një qeveri që përpiqet të ndalojë të vërtetën sigurisht që nuk është demokratike, por ka qartë arsye të përpiqet të ndalojë të vërtetën për veten e saj në mënyrë që ajo të mos përcillet në botë", u tha gazetarëve në Osijek Picula, një anëtar i SDP/S&D i Parlamentit Evropian.

15/03/2025 15:22-Euronews shkruan për "tubimin e madh kundër Vuçiqit dhe qeverisë së tij"

Një tingull shurdhues bilbilash dhe vuvuzelash bëri jehonë në të gjithë qendrën e Beogradit të shtunën, në një tubim të madh kundër presidentit populist Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij. Turma të mëdha u mblodhën në qendër të Beogradit për mitingun, i cili është një kulm i protestave pothuajse të përditshme kundër korrupsionit që kanë paraqitur sfidën më të madhe për kontrollin e fortë 13-vjeçar të Vuçiqit mbi pushtetin në Serbi. Shumë banorë të qytetit dolën për të mirëpritur protestuesit, shumica prej tyre studentë universiteti, të cilët erdhën në Beograd nga i gjithë vendi, duke valëvitur flamuj dhe duke brohoritur parulla. Me transportin publik të pezulluar, kolonat e njerëzve erdhën në qendër të qytetit nga bashkitë e afërta. Një numër i madh makinash janë drejtuar edhe drejt qytetit, të dekoruara me flamuj kombëtarë të Serbisë, përshëndesin qytetarët me bori, duke krijuar një atmosferë karnavalesh. Presidenti Vuçiq ka paralajmëruar vazhdimisht se në tubim është planifikuar dhunë dhe ka kërcënuar me arrestime për çdo incident. Mbështetësit e Vuçiqit kanë ngritur kampe në qendër të qytetit, duke nxitur më tej frikën e përleshjeve. Qindra motoçiklistë pro Vucic u vendosën gjithashtu në një rresht para parlamentit të Serbisë, me sa duket për ta mbrojtur atë nëse ndonjë protestues do të mendonte të mblidhej para tij.

15/03/2025 15:16-Një pamje drejtpërdrejt nga Beogradi - dhjetëra mijëra njerëz në rrugë, në një nga protestat më të mëdha në Serbi ndonjëherë

15/03/2025 15:13-Fotografi dhe video të tjera nga protesta në Beograd

15/03/2025 15:09-Pamjet me dron të protestës në Beograd – kolona kilometërshe të njerëzve

Kryeqyteti serb, Beogradi, është bërë epiqendra e protestave masive kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit. Qytetarë nga e gjithë Serbia janë mbledhur për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë, duke kërkuar llogaridhënie dhe ndryshime thelbësore në politikën e vendit.

15/03/2025 15:08-Persona të maskuar marshojnë nëpër Beograd – pushteti po mundohet t’i frikësojë protestuesit

Në kryeqytetin serb të Beogradit po zhvillohet sot një protestë kundër regjimit të presidentit, Aleksandar Vuçiqit. Disa dhjetëra burra të maskuar dhe të veshur me të zeza kanë arritur mëngjesin e sotëm në parkun Pionir të Beogradit gjersa raportohet se presidenti serb i ka angazhuar për t’i frikësuar protestuesit. Për të lexuar më shumë, klikoni KËTU.

15/03/2025 15:07-Dramë në rrugët e Beogradit – automobili shkel me veturë protestuesit anti-Vuçiq

Në rrjetet sociale është publikuar një video e incidentit në lagjen Zharkovo në Beograd, kur një automobil përplasi turmën që po mblidhej për të shkuar në protesta. Për të lexuar më shumë rreth ngjarjes, klikoni KËTU.