Në Kampionatin Evropian U23 të skermës në Estoni, ekipi i Zvicrës ka bërë një veprim që po tërheq shumë vëmendje ndërkombëtare.

Pasi humbën finalen ndaj Izraelit dhe morën medaljet e tyre, sportistët zviceranë nuk u kthyen për të nderuar himnin izraelit, veprim që është interpretuar si një protestë politike.


Ky akt shkaktoi reagime të shumta, ndërsa mediat zvicerane e cilësuan si një skandal, por edhe federata ka reaguar.

"Federata e Skermës e Zvicrës nuk ka mirëkuptim për ekipin e saj që ka abuzuar ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për demonstrim politik," thuhet në reagimin zyrtar të federatës.

Ata theksojnë se sportistët mund të kenë mendime personale për ngjarjet në botë, por ngjarjet sportive nuk duhet të përdoren për të shprehur qëndrime politike.

Ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Saar, duke dënuar veprimin e zviceranëve. Nga ana tjetër, Federata zvicerane ka uruar ekipin izraelit për suksesin, megjithëse njoftoi se pas kthimit të sportistëve nga Estonia, do të zhvillojë bisedime me ta për të vendosur nëse do të ndërmerren masa disiplinore.

Në rrjetet sociale, veprimi i sportistëve zviceranë ka ngjallur reagime të përziera. Një pjesë e komentuesve i kanë përkrahur, duke shprehur admirim për qëndrimin e tyre, ndërsa të tjerë i kanë kritikuar ashpër. "Kam gjetur një dashuri të re dhe admirim për Zvicrën," shkruan një koment në platformën X, sipas 20min.ch. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app