Prokurorja citon bisedën nga përgjimet që pretendohet se u bë për shitblerje të armëve mes dy të akuzuarve

Në gjykimi ndaj Sheremet Jasharit - i akuzuar për krim të organizuar lidhur me shitblerje të armëve dhe municion, me rastin e administrimit të provave materiale, prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu citoi bisedën që pretendohet se ishte bërë mes Jasharit dhe të akuzuarit tjetër Selman Selamani për shitblerje të armëve. Por, ky i pari e mohoi të jetë pjesë e atyre përgjimeve.
“Dy m’kanë mbet, tjera s’më kanë mbet, i kam pas nja 50 copa mi ka pranu njani prej Shqipërisë”, citoi prokurorja bisedën e marrë nga përgjimet mes Jasharit dhe Selmanit.
Sipas prokurores Fejzullahu, gjatë bisedës mes të akuzuarve Sheremeti dhe Selmani, filitet për “fishekë” me “sanak” (sanduk).
Prokurorja tha se në vazhdimësi ka pasur biseda dhe mesazhe mes të akuzuarit Jashari dhe grupit tjetër të të akuzuarve lidhur me shitblerje të armëve dhe municionit.
Gjithnjë sipas prokurores, këto prova materiale i përkasin periudhës kohore që është e përcaktuar edhe në aktakuzë dhe dëshmohet se Jashari i ka njohur të akuzuarit tjerë dhe se ka bashkëpunuar me ta.
Këto prova i kundërshtoi mbrojtësi i Jasharit, avokati Sylejman Bajra.
Seanca vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Jashari, i cili deklaroi se komunikimet që prokurorja Fejzullahu ka cituar nuk janë mes tij dhe Selmanit, pasi që telefonin e tij e kanë përdorur klientët që i kishte në punëtorinë e tij.
Prandaj, sipas Jasharit në komunikimet në fjalë nuk ka qenë personalisht ai, por ndonjë klient që e ka përdorur telefonin e tij, e që tha se në të gjitha rastet kur ia kanë kërkuar klientët telefonin për ta përdorur për thirrje, ua ka dhënë.
Jashari tha se të akuzuarit tjerë për këtë rast i ka njohur kur kanë ardhur së bashku me ta në Gjykatë dhe se nuk ka asnjë lidhje me ta.
Ai kërkoi nga prokurorja që të dorëzojë nëse ka të paktën ndonjë fotografi me ta, që dëshmohet se i njeh të njëjtit.
Jashari tha se ka pasur veturë të tipit kinez, duke mos mohuar mundësinë se lidhur me të mund të ketë komunikuar me ndonjë person, si dhe edhe fjalën “prokolicë”, që ishte fjala për rimorkio nuk mohoi që mund ta ketë përdorur gjatë bisedave telefonike, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këtë deklarim ai e bëri pasi u pyet nga gjykatësi i rastit Vesel Ismaili nëse gjatë bisedave me dikë ka përdorur fjalën “kinez” ose “prokolicë”.
Jashari tha se e ka ditur se është në përgjime qysh nga viti 2013 kur ishte duke u hetuar për grupin “Drencia” dhe se sipas tij, fakti se e ka ditur se është duke u përgjuar është dëshmi se nuk do t’i zhvillonte bisedat në fjalë.
Pas këtij deklarimi, prokurorja Fejzllahu e pyeti Jashari se si duke e ditur se është në përgjime ia ka besuar telefonin dikujt tjetër. Ai u përgjigj se askujt nuk i beson.
“Jo, kurrkujt s’i besoj”, deklaroi Jashari.
Në seancën e radhës pritet të jepen fjalët përfundimtare.
Në këtë rast për “Pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal” dhe “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse” akuzohen Selman Selmani, Esat Xhemajli, Shemsedin Haziri, Sabit Sahiti, Sheremet Jashari dhe Mursel Latifi. Për Jasharin, është veçuar procedura.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 27 dhjetor 2023, të akuzuarit Selman Selmani, Esat Xhemajli, Shemsedin Haziri, Sabit Sahiti, Sheremet Jashari dhe Mursel Latifi, nga koha e pavërtetuar e në vazhdimësi deri në muajin mars dhe maj të vitit 2023, kanë vepruar si grup i organizuar kriminal. Aty thuhet se me dashje janë marrë vesh paraprakisht që të furnizohen, transportojnë, këmbejnë, ndërmjetësojnë dhe shesin në mënyrë të paautorizuar armë dhe municion.
Aktakuza thotë se të pandehurit Selman Selmani dhe Shemsedin Haziri duke e drejtuar veprimtarinë e këtij grupi kriminal së bashku me të pandehurit tjerë, në vazhdimësi janë takuar dhe kanë komunikuar me të pandehurit Esat Xhemajli, Sabit Sahiti, Sheremet Jashari dhe Mursel Latifi, me qëllim blerjes së armëve dhe municionit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi që kanë siguruar armët, fillimisht i kanë dërguar në shtëpinë e të pandehurit Sabit Sahiti në Mitrovicë, me ç’rast më 12 mars 2023 gjatë kontrollit të shtëpisë së të pandehurit Sahiti janë gjetur dhe sekuestruar 20 armë të gjata AK-47, ndërsa më 17 maj 2023 gjatë zbatimit të kontrollit të shtëpisë së të pandehurit Mursel Latifi, të njëjtit i janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, 12 fishekë AK-47, 205 fishekë të armës së gjatë, një karikator i armës AK-47, një kondakt – druri dhe një telefon.
Me këto veprime, akuzohen se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 i Kodit Penal, lidhur me veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364, par.2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal.







































