Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë të ditur që ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditës, ndaj të pandehurit me inicialet D.Ll. për veprën penale të ngacmimit seksual.

Tutje në deklaratën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë bëhet e ditur se për shkak të këtij veprimi, i pandehuri D.Ll. i ka cenuar viktimës dinjitetin dhe ka krijuar mjedis objektivisht frikësues, degradues dhe poshtërues.


"Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet D.Ll., ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet D.Ll., me datë 26.03.2025 në Gjakovë, saktësisht në Shkollën Fillore të Ulët “M.K”, e ngacmon seksualisht personin tjetër, e cila është e ndjeshme për shkak të moshës, duke u përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale ndaj të dëmtuarës/e mitur, veprime këto me të cilat të dëmtuarës/e mitur, i ka cenuar dinjitetin dhe ka krijuar mjedis objektivisht frikësues, degradues dhe poshtërues. Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale Ngacmimi Seksual nga neni 183 par. 4, lidhur me par.1 të KPRK-së", thuhet në njoftim. /Telegrafi/