Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin B.D, i akuzuar për veprën penale “Ngacmim seksual” ndaj dy vajzave të mitura.

Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur në nëntor të vitit 2024, kur prindërit e dy nxënëseve me inicialet I.B. dhe A.K. kanë denoncuar në polici mesazhe me përmbajtje seksuale të dërguara nga mësuesi përmes aplikacionit WhatsApp, raporton euronews.al


Vajzat kanë deklaruar se komunikimet kishin karakter ngacmues, përfshirë kërkesa të papërshtatshme dhe cenim të dinjitetit të tyre.

Prokuroria ka administruar prova të shumta, duke përfshirë kontrollin e telefonave celularë të të miturave dhe të pandehurit, ekspertiza teknike të bisedave, si dhe deklaratat e vajzave të marra në prani të psikologëve dhe përfaqësuesve ligjorë.

Raportet e ekspertimit psikologjik tregojnë se ngjarja ka shkaktuar tek vajzat gjendje të theksuar ankthi dhe stres, duke evidentuar nevojën për mbështetje të specializuar terapeutike.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Korçës thekson se rasti përmbush elementët e veprës penale të “Ngacmimit seksual” ndaj fëmijëve, një krim me rrezikshmëri të lartë shoqërore sipas ligjit shqiptar.