Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot është zhvilluar një operacion i gjerë policor në rajonin e Prishtinës, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksioni ndërlidhet me dyshimet për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë korrupsionin, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, dhënien dhe marrjen e ryshfetit, ushtrimin e ndikimit, mashtrimin si dhe armëmbajtjen pa leje.


Gjatë këtij operacioni Prokuroria njofton se janë arrestuar shtatë persona me inicialet F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L.

Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, nën udhëheqjen e Prokurorit Special, pas një periudhe të gjatë monitorimi dhe hetimi, ku janë aplikuar edhe masa të veçanta hetimore.

"Të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave", ka njoftuar Prokuroria.

Me vendim të Prokurorisë Speciale, të shtatë personave u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Gjatë bastisjeve dhe kontrolleve policore janë sekuestruar rreth 20 mijë euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme si dhe pajisje elektronike./Telegrafi/