Prokuroria heton ish zyrtarë të Komunës së Prishtinës!?

“Komuna e Prishtinës që nga viti 2000 ia ka dhënë të drejtën ekskluzive kompanisë AMM. Ndaj kësaj kompanie, që është financuese e LDK-së, si dhe ndaj disa zyrtarëve komunalë të Prishtinës ka filluar një hetim lidhur me monopolin që kjo kompani ka pas nën menaxhimin e LDK-së tash e 13 vjet ”, ka thënë një burim brenda Komunës së Prishtinës, raporton OraInfo.
Lidhur me këtë kompani ka reaguar dje edhe Lëvizja Vetëvendosje. Mllefi i Lëvizjes është duke u manifestuar edhe në sloganin më të ri të kësaj lëvizje, “A jeni Lodh”. Në momentin që kjo lëvizje vendosi emrin e djalit të Isa Mustafës mbi këtë slogan, u “tejkalua kufiri i durimit mes VV dhe Isa Mustafës”.
Në reagimin e djeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, thuhet se kompania “AMM” është konsultuar paraprakisht me zyrtarë të LDK-së për billbordët e VV-së. Sipas tyre, kompania që menaxhon me reklamat e Prishtinës, pa asnjë shpjegim u mundua të mbulojë emrin e djalit të Isa Mustafës nga billbordi.
“Me sa duket LDK-ja ka vendosur të hyjë në këto zgjedhje pa histori e pa të shkuar, njësoj siç po bën dhe simotra e tyre, PDK-ja. LDK-ja po shpreson që qytetarët të harrojnë ngjarjet e vjetra e të reja, dhe po e ndihmon këtë ‘harresë’ përmes një veprimi të pandershëm, në panik e sipër, duke shfrytëzuar fijet e saj të padukshme për të kontrolluar kompanitë private e për t’i detyruar ato që të shkelin kontratat me Lëvizjen. Por, me këto tentativa LDK-ja vetëm sa po bën të mundur izolimin dhe mbetjen e saj “vetëm”, siç e ka edhe në slogan”, është thënë në reagimin e Vetëvendosjes. /OraInfo/











































