Projekti në ishullin e Sazanit, Spiropali: Nuk ka asnjë plan për falje tokash

Jo vetëm familja e presidentit amerikan, Donald Trump, por të gjithë zyrtarët amerikanë janë të mirëpritur në Shqipëri.
Kështu u shpreh ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, sot, 19 janar, kur doli në një konferencë për mediat për të folur në lidhje me ftesën e Trump për Shqipërinë në Bordin e Paqes.
Por gjatë pyetjeve, ajo u pyet nëse në vijim do të ketë një vizitë në Shqipëri të vajzës së Trump, Ivanka Trump, bashkëshorti i të cilës, Jared Kushner, ka një projekt për ngritjen e hoteleve dhe apartamenteve në ishullin e Sazanit.
Spiropali tha se nuk ka asnjë plan për falje tokash dhe këtë gjë nuk e kërkon askush. Sipas saj, bëhet fjalë për projekte serioze zhvillimore.
“Jo vetëm familja e presidentit Trump, por të gjithë zyrtarët amerikane janë të mirëpritur në Shqipëri dhe nuk kemi asnjë detyrim të japim informacione mbi vizitat e tyre qoftë private apo të tjera. Nuk ka asnjë plan as për falje tokash, as për dhënie të territoreve shqiptare, por ka një partneritet të qartë. Të jeni të sigurt se asnjë nuk kërkon, as SHBA-të, as Trump, as familja e tij që Shqipëria të falë toka siç i quani ju apo të angazhohet në aktivitet të tilla në Shqipëri. Ka projekte serioze që janë pjesë e projekteve tona zhvillimore dhe ne jemi krenarë për to siç jemi krenarë edhe për programe dhe projekte të tjera të cilat padiskutim do t’i bëjmë realitet në Shqipëri”, tha Spiropali.
Ndërkohë më herët Kushner është shprehur se Sazani e ka tërhequr që prej një vizite në vitin 2021.
Kryeministri Edi Rama duke folur për këtë çështje ka thënë se ishulli nuk do të shitet asnjëherë dhe se qeveria shqiptare do të jetë partnere me grupin që do të investojë aty. Ai ka theksuar se ky projekt do të jetë risi për zonën e Mesdheut./Tv Klan




















































