Një punonjës akademik i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dyshohet se të martën ka goditur një punonjëse akademike gjatë mbajtjes së një mbledhjeje në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Rasti në fjalë është raportuar në Policinë e Kosovës, që ka nisur hetime lidhur me veprën lëndim i lehtë trupor.


Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi për Telegrafin ka bërë të ditur se të martën rreth orës 11:30, Policia e Kosovës në Prizren është njoftuar për një incident të ndodhur në ambientet e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, gjatë mbajtjes së një mbledhjeje në Fakultetin e Filologjisë.

“Sipas informatave të para, njëra nga palët e përfshira dyshohet se është goditur në qafë me dokumente apo me bërryl nga një person i pranishëm në mbledhje, profesor në universitet. Personi i dëmtuar, profesoreshë në universitet. Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe e ka informuar Prokurorin e Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prizren. Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor””, ka thënë Bytyqi.

Sipas tij hetimet lidhur me këtë rast po vijojnë.

Javë më parë, edhe një profesoreshë në Universitetin “Ukshin Hoti” pat denoncuar një koleg të saj për kërcënim. /Telegrafi/