Profesor, akademik dhe ish-kryeparlamentar i Kosovës - kush ishte Nexhat Daci

Nexhat Daci, ishte një figurë e shquar në jetën akademike dhe politike të Kosovës.
Ai lindi në Tërnoc të Bujanocit dhe kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në vendlindje dhe në Leskovc (1960). Studimet e larta për kimi i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1966), ku mbaroi edhe studimet pasuniversitare (1968), dhe më pas kreu një kurs pasuniversitar në Liezh, Belgjikë (1970).
Tezën e doktoratës e mbrojti në Universitetin e Zagrebit (1973), ndërsa studimet e pasdoktoratës i vazhdoi në Universitetin e Bradfordit, Angli (1974).
Nga viti 1966 e tutje, Daci zhvilloi një karrierë të gjatë akademike në Universitetin e Prishtinës, ku u zgjodh asistent, më pas ligjërues, profesor inordinar dhe në vitin 1984 mori titullin profesor ordinar.
Ai ka bërë udhëtime studimore në shumë vende të botës dhe ka qenë anëtar i institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Shoqatën e Kimistëve Amerikanë (1985) dhe Akademinë Europiane për Çështje të Mjedisit (1987).
Në vitin 1994 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërsa në vitin 1996 u bë anëtar i rregullt, më pas sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i ASHAK (1999–2002). Në vitin 2014 u bë anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve (ALLEA).
Veprimtaria shkencore e Dacit përfshinte studime mbi strukturën e substancës organike dhe inorganike të qymyrit të Kosovës, analizën e hirit nga termocentralet, mbrojtjen e mjedisit dhe trajtimin e ndotësve të ujërave urbane dhe industriale.
Ai ishte autor i teksteve universitare dhe monografive, si “Kimia organike” dhe “Struktura e substancave organike të qymyrit të Kosovës”, si dhe bashkautor i studimeve ndërkombëtare mbi kiminë për mbrojtjen e mjedisit.
Në jetën politike, Nexhat Daci ishte deputet i Parlamentit të Kosovës (2001–2011), kryetar i Kuvendit të Kosovës (2001–2006) dhe përkohësisht President në detyrë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës (2006). Në vitin 2007 themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i saj, duke lënë gjurmë në skenën politike të vendit. /Telegrafi/



































