“Prishtina Tournament 2025” ndryshon lokacionin dhe datën – turneu do të mbahet në Sheshin “Adem Jashari” nga 7 deri më 14 gusht

Turneu më i madh veror i futsallit në kryeqytet, “Prishtina Tournament”, do të zhvillohet këtë vit në një lokacion të ri dhe me një datë të ndryshuar. Organizatorët kanë bërë të ditur se edicioni i vitit 2025 do të zhvendoset nga Sheshi “Ibrahim Rugova” në Sheshin “Adem Jashari”, ndërsa aktivitetet do të mbahen nga data 7 deri më 14 gusht.
Ky vendim, sipas organizatorëve, vjen pas koordinimeve me Komunën e Prishtinës dhe vlerësimeve të stafit teknik dhe logjistik. Arsyeja kryesore e zhvendosjes lidhet me përplasjen e aktiviteteve kulturore dhe sportive në zonën e parë të planifikuar, përfshirë festivalin veror “Akull n’Verë”, si dhe nevojën për kushte më të mira teknike dhe siguri për pjesëmarrësit dhe publikun.
“Për të garantuar një turne të nivelit të lartë, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ, kemi vendosur që edicioni i sivjetmë të mbahet në Sheshin ‘Adem Jashari’. Ky vend ofron më shumë hapësirë, qasje të sigurt për urgjenca, mundësi për vendosjen e tribunave, ndriçim profesional dhe kushte më të mira për lojtarët dhe spektatorët”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Edicioni i vitit 2025 pritet të sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme në kryeqytet, me pjesëmarrjen e 16 ekipeve elitare të futsallit nga rajoni, si dhe me garat për grupmoshat U9, U10, U11 dhe U13. Për herë të parë do të ketë edhe përfaqësim të vajzave në ndeshjet çerekfinale dhe finale.
Përveç përballjeve sportive, turneu do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh shoqëruese si lojëra për fëmijë, hapësira relaksi për familje, dhurata, revy sportive dhe fanzone, duke e shndërruar “Prishtina Tournament 2025” në një ngjarje të shumëdimensionale për të gjithë qytetarët dhe vizitorët e Prishtinës. /Telegrafi/



















































