Sigal Prishtina ka shënuar një fitore të rëndësishme në palestrën “Karagaçi” në Pejë, duke marrë pikë kyçe në garën për mbijetesë në Superligën e Kosovës në basketboll. Në ndeshjen e xhiros së 26-të, “bardhekaltrit” triumfuan me rezultatin 89:75.

Sfida ishte e luftuar dhe thuajse e barabartë gjatë gjithë kohës. Çereku i parë i takoi mysafirëve me 23:16, ndërsa periudha e dytë i shkuar klubit pejan, 25:18. Pjesa e parë u mbyll në barazim, 41:41.


Dramatike ishin edhe 20 minutat e fundit. Periudha e tretë përfundoi 23:20 për Sigal Prishtinën, por Peja u rikthye në lojë rreth shtatë minuta para fundit dhe kaloi me dy pikë epërsi, 70:68.

Gabimet e Pejës në tre minutat e fundit i hapën rrugën ekipit kryeqytetas, i cili përfitoi dhe mbylli ndeshjen me pesë pikë dallim.


Deondre Burns ishte i pandalshëm për Sigal Prishtinën, duke shënuar 32 pikë, 7 kërcime dhe 5 asistime. Edhe Valmir Kakruki kontribuoi me 14 pikë, 7 kërcime dhe 3 asistime. Te Peja, spikati Cesare Edwards me dyshifror të dyfishtë: 19 pikë, 13 kërcime dhe 2 asistime.

Për Sigal Prishtinën kjo ishte fitore e parë pas dy disfatave rresht, duke u ngjitur në vendin e gjashtë me 36 pikë, dy më shumë se Vëllaznimi që është në vendin e fundit. Ekipi ka regjistruar 10 fitore dhe 16 humbje deri tani.

Peja mbetet në mesin e tabelës me 37 pikë, pas 11 fitoreve dhe 15 humbjeve. /Telegrafi/

telegrafi sport app