“Prishtina ishte në kaos total”, Veldin Hoxha rrëfehet për mediat kroate: Edhe nëse do të kishte stadiumi 140 mijë ulëse do shiteshin për një minutë

Mesfushori Veldin Hoxha nuk ka arritur t’i mbajë lotët nga emocionet pas triumfit në Sllovaki, ndërsa është i sigurt se edhe një stadium me 140 mijë tifozë do të mbushej për finalen me Turqinë.
Hoxha shënoi një supergol në triumfin 3-4 të Kosovës në Bratislavë, ndërsa pritet të jetë nga minuta e parë edhe në finalen e play-offit ndaj Turqisë.
Në një intervistë të fundit për mediumin kroat “novilist.hr”, Hoxha e vlerësoi si të papërshkrueshme ndjenjën e golit dhe fitores me Sllovakinë.
“Faleminderit të gjithë njerëzve të Rijekas për urimet e shumta, është çmenduri këtu. Ndjenja në Sllovaki ishte thuajse se kur luajta për herë të parë dhe kur shënova për Rijekan. Literalisht e pabesueshme. Tani ishte goli im i parë për Kosovën”.
“Kur gjyqtari dha fishkëllimën e fundit... lotët e gëzimit dhe bërtiturat erdhën prej lumturisë. Nisën të dalin vetë. Ishin emocione të pakontrolluara, plot gëzim”.
“Ishte e pabesueshme ta shihja lajmin e New York Times dhe në titull thoshte “Çfarë momenti për Hoxhën që shënoi golin e parë për Kosovën”. Kur arritëm në Prishtinë shkuam direkt në hotel. I shikuam pamjet, pas fitores qyteti ishte në kaos të plot, çmenduri e madhe”.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me Turqinë, Hoxha është i sigurt se edhe stadiumi me 140 mijë ulëse do të ishte i mbushur nga tifozët e Kosovës.
“Njerëzit nga Federata thonë “Do të ishte plotë edhe nëse do të kishim 10 herë kapacitetin e kësaj”. Edhe nëse kishim kapacitetin me 140 mijë ulëse, të gjitha biletat do të shiteshin për 1 minutë. Do të jetë çmenduri, por ne lojtarët jemi të qetë. Tjetër hap drejt Kupës së Botës”, nënvizoi ai.
Kujtojmë, përballja mes Kosovës dhe Turqisë do të zhvillohet të martën nga ora 20:45./Telegrafi/





















































