Kryetari i Prishtina, Perparim Rama, ka njoftuar se nga sot rastet e dhunës mund të raportohen edhe përmes aplikacionit mobil The Sorority.

Sipas Ramës, kjo është bërë e mundur pas nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Kryeqytetit dhe The Sorority Foundation, e cila është realizuar në ambientet e Instituti Francez i Kosovës.


“Prej sot, dhuna mund të raportohet edhe përmes aplikacionit ‘The Sorority’. Me marrëveshjen e bashkëpunimit që nënshkruam në Institutin Francez të Kosovës me The Sorority Foundation, Kryeqyteti Prishtina i bashkohet një rrjeti ndërkombëtar solidariteti që u mundëson grave të kërkojnë ndihmë, të njoftojnë komunitetin dhe të lidhen më shpejt me mbështetjen e nevojshme”, ka shkruar Rama.

Ai ka bërë të ditur se aplikacioni mund të shkarkohet nga platformat online, duke shtuar se qëllimi i këtij bashkëpunimi është rritja e sigurisë dhe mbështetjes për qytetarët.

“Ne jemi këtu që secili qytetar të ndihet i sigurt”, ka theksuar Rama. /Telegrafi/