Sot, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë ka filluar Kosova Energy Forum & Green Business Expo 2025, ngjarja më e madhe në vend kushtuar energjisë së pastër dhe inovacionit të gjelbër.

Për dy ditë me radhë, sot dhe nesër mbi 40 kompani vendore e rajonale do të prezantojnë teknologji të reja, produkte dhe shërbime që synojnë ta bëjnë më të lehtë dhe më të qëndrueshme jetën e përditshme, si në biznes ashtu edhe në familje.


Në kuadër të Forumit u mbajtën edhe tre panele kryesore: “Sfidat në zhvillimin e sektorit të energjisë së rinovueshme dhe financimi i projekteve” (GiZ Kosovo), “Fuqizimi i konkurrueshmërisë: Investimi në energjinë e rinovueshme dhe efiçiencën e energjisë në një treg të liberalizuar” (EBRD), si dhe “Efiçienca e energjisë: Politikat, mekanizmat financiarë dhe perspektivat e investimeve” (LuxDev). Këto diskutime sollën analiza dhe zgjidhje konkrete mbi sfidat, politikat dhe investimet që e orientojnë Kosovën drejt një tranzicioni energjetik më të qëndrueshëm.

Poashtu diskutimet do të fokusohen në politikat dhe investimet që fuqizojnë konkurrueshmërinë, promovimin e e-mobilitetit dhe potencialin e madh të Kosovës në energjinë diellore.

KEF & Green Business Expo 2025 ka krijuar hapësirë dialogu e bashkëpunimi për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e tranzicionit të gjelbër nga ekspertët e sektorit deri te qytetarët që synojnë një të ardhme më të pastër.

Forumi është i hapur për të gjithë qytetarët nga ora 09:00 deri në orën 17:00.