Prindon Sadriu ftohet në Shtëpinë e Bardhë për samitin e Melania Trump

Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, ka marrë ftesë zyrtare nga Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, për të marrë pjesë në një samit ndërkombëtar që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë në muajin mars.
Samiti i dedikohet iniciativës globale “Fostering the Future Together”, të udhëhequr nga Zonja e Parë Melania Trump, së cilës Kosova iu bashkua në shtator të vitit 2025.
Kjo nismë synon të vërë në dispozicion teknologji të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, për mbështetjen e fëmijëve, prindërve dhe edukatorëve, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e të rinjve nga rreziqet online. Kompanitë më të mëdha ndërkombëtare të teknologjisë janë zotuar të ofrojnë këto mjete falas ose me kosto të reduktuar për Kosovën dhe vendet e tjera pjesëmarrëse.
Iniciativa e Zonjës së Parë lidhet drejtpërdrejt me prioritetet e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në hapësirën digjitale dhe zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative në funksion të mirëqenies së tyre. Sipas njoftimit, Presidenca e Kosovës tashmë ka prezantuar para Administratës Trump planet konkrete të bashkëpunimit për mbështetjen e kësaj agjende.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë samit konsiderohet një hap i rëndësishëm për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për avancimin e politikave që synojnë zhvillimin dhe mbrojtjen e gjeneratës së re. /Telegrafi/


















































