Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia janë të përfshira drejtpërdrejt në armatosjen e shqiptarëve në Kosovë.

“Amerikanët po i armatosin shqiptarët në Kosovë, ashtu si edhe Turqia. Qëllimi është sulm ndaj Serbisë dhe popullsisë serbe,” deklaroi Vuçiq.


Vuçiq po ashtu ka akuzuar Shqipërinë, Kroacinë dhe Kosovën se po krijojnë një “aleancë ushtarake” që synon rrezikimin e Serbisë.

Deklarata u bë gjatë një fjalimi para ambasadorëve të huaj, ku Vuçiq vuri në pikëpyetje të drejtën e këtyre vendeve për të bashkëpunuar në fushën ushtarake.

Ai tha se tri vendet kanë zgjeruar marrëveshjet e tyre ushtarake edhe me Slloveninë dhe përpiqen të përfshijnë Bullgarinë në këto procese, duke theksuar se qëllimi është rrezikimi i integritetit territorial të Serbisë dhe sulme ndaj popullsisë civile dhe strukturave ushtarako-policore.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime mbi Paqen në Stokholm (SIPRI), Serbia në vitin 2024 ka shpenzuar 2.2 miliardë dollarë për ushtrinë, që përbëjnë 2.6% të produktit të brendshëm bruto, duke qenë shteti me investimin më të madh ushtarak në rajon.

Por, duke u bazuar në atë se kush kënd po e sulmon, vlen të përmenden sulmet e Serbisë ndaj Kosovës.

Incidenti më i rëndë i armatosur kohëve të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor ndodhi në shtator të vitit 2023 në veri të Kosovës, kur një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke e vrarë një rreshter policor.

Tre sulmues mbetën të vrarë gjithashtu.

Politikani nga Kosova dhe biznesmeni Milan Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin, dhe prej atëherë ai ndodhet në Serbi, ku nuk është ndjekur penalisht deri më sot.

Jo vetëm kaq, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Jovan Viqentijeviq, Dragisha Viqentijeviq dhe Igor Dimoviqit në lidhje me sulmin terrorist në Iber Lepenc.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Viqentijeviq janë personat që kanë shpërthyer kanalin e “Ibër- Lepencit” përmes vendosjes së një çante me eksploziv.

Në aktakuzën thuhet se Prokuroria Speciale në bashkëpunim me FBI-në amerikane kishin arritur të gjenin prova që do të çonin në arrestimin e vëllezërve Viqentijeviq.

Sipas dosjes, në kohën kur ishin arrestuar të dyshuarit ishte marrë për ekzaminim dheu i cili ndodhej në çizmet e të arrestuarve në atë kohë dhe ishte marrë si mostër dheu në oborrin e të dyshuarve. Gjithashtu për krahasim kishin marrë edhe dheun i cili ndodhej pranë kanalit të “Ibër-Lepencit”.

Ngjashmëria e dheut, sipas PSRK, vërteton se të akuzuarit kanë qenë prezentë në vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe ata kanë qenë personat që e kanë shkatërruar një pjesë të kanalit.

“Dheu i çizmeve të sekuestruara në shtëpinë e vëllezërve Viqenjtijeviq dhe ajo në fshatin Përvlak të kësaj komune më datë 30.11.2024 së bashku me mostrat referente të dheut të siguruara nga ekspertët policorë të Kosovës dhe FBI të marra në vendin e ngjarjes… Nga mostrat qartazi vërehet se në mes të dheut të marrë në çizmet e të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq dhe mostrave të dheut të marra në vendin e ngjarjes, më konkretisht në kanalin “Ibër-Lepenc” nuk ka dallueshmëri… çka vërtetohet se të pandehurit kanë kryer aktin terrorist” – thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale./Telegrafi.