Presidentja Osmani ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të akademikut dhe ish-kryetarit të Prishtinës Salih Gashi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Gashi, pas vdekjes së akademik Salih Gashi.
Në telegramin e presidentes thuhet se "Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Salih Gashit, ish-kryetar i Prishtinës, një personalitet i spikatur në jetën publike dhe institucionale të shtetit tonë".
"Profesor Gashi i përkiste brezit, i cili me përkushtim, dije dhe integritet ndërtoi ura në mes dijes dhe shoqërisë. Ai ishte kontribuues i përkushtuar në Universitetin e Prishtinës, figurë e respektuar në qarqet akademike dhe zë i urtë në jetën institucionale e publike të Kosovës", thuhet në njoftimin e presidences.
Tutje, theksohet se kontributi i tij i jashtëzakonshëm në arsim, shkencë dhe shoqëri do të mbetet përherë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe frymëzim për brezat që vijnë.
"Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, komunitetit akademik dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin e të bashkëpunojnë me të. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për akademik Salih Gashin", theksohet në komunikatë./Telegrafi/
















































