Presidentja Osmani nderon me Medaljen Presidenciale të Meritave "Sofrën Pejane"

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave për SHKA 'Sofra Pejane', me motivacionin “Për Kontributin e Jashtëzakonshëm në Ruajtjen dhe Promovimin e Vlerave të Muzikës Qytetare”.
Kjo medalje u jepet personaliteteve apo ansambleve nga fusha e kulturës, artit dhe muzikës, të cilët kanë treguar përkushtim të veçantë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Qëllimi i saj është vlerësimi i kontributit të veçantë në kulturë dhe forcimi i identitetit shtetëror përmes muzikës.
Në ceremoninë e organizuar nga Presidenca e Republikës së Kosovës, në emër të SHKA “Sofra Pejane”, medaljen e pranuan këngëtari i njohur kosovar Ramadan Krasniqi-Dani, si dhe përfaqësuesit Fitim Behluli dhe kryetari i shoqërisë Sadik Sadiku.
Nga ana tjetër, u bë e ditur se një medalje e kategorisë së njëjtë nga presidentja është premtuar edhe për përfaqësuesen e Kosovës në futboll, në rast të një fitoreje në përballjen ndaj Turqisë, si një formë motivimi për sukses sportiv.

Pas pranimit të vlerësimit, SHKA “Sofra Pejane” reagoi me një mesazh falënderues, duke e dedikuar këtë çmim për qytetin dhe brezat që kanë ruajtur traditën ndër vite.

“Këtë medalje ia dedikojmë qytetit tonë, fansave të këngëve tona dhe të gjitha brezave që kaluan dhe ruajtën brez pas brezi vlerat e mirëfillta të këngës, esnafit, artit, kulturës, bujarisë, mikpritjes dhe traditës tonë në Sofër”, thuhet në reagimin e tyre. /Telegrafi/






























































