Klaus, i cili konsumoi dy mandatet e tij nga 2003-13 dhe largohet nga detyra të enjten pasi nuk i lejohej të rikandidonte, dyshohet se shpalli një amnisti të përgjithshme në fund të vitit të shkuar, me qëllim që të pezullonte ndjekjen penale për korrupsion për disa prej politikanëve dhe funksionarëve të lartë të vendit të afërt me qarqet e tij.

Ndërsa një ngjarje e tillë përbën në thelb abuzim me detyrën, në bazë të legjislacionit çek, konsiderohet si një “tradhti e lartë” nëse kryhet prej kreut të shtetit.


Ditën e hënë, Senati kaloi kërkesën e autoriteteve për të vazhduar hetimin dhe menjëherë pasi të lërë detyrën, Klaus do të shpjegojë veprimet e tij përpara një trupi të Gjykatës Kushtetuese, transmeton TCH.

Në fjalën e tij, nga Kështjella e Pragës, 71-vjeçari Klaus e konsideroi vendimin e Senatit si një tentativë më shumë, në fushatën e gjatë të ndërmarrë për diskreditimin e figurës së tij publike.

Tradhtia kombëtare është një prej akuzave më të rënda në legjislacionin e çdo shteti dhe në kodin penal shqiptar e atë çek është e dënueshme deri me burgim të përjetshëm.

I njohur për pikëpamjet e tij euroskeptike dhe kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, Klaus u zgjodh president në vitin 2003, por largohet të enjten, pasi mandati i tij i dytë përfundon dhe në zgjedhjet e 11-12 janarit 2013, u zgjodh si pasardhës i tij social-demokrati Milos Zeman. /Telegrafi/